Atleti shkodran Izmir Smajlaj ka zënë vendin e parë në garën e kërcimit së gjati në mitingun ndërkombëtar të zhvilluar pasditen e së enjtes në Tivar të Malit të Zi. Kjo është një garë tradicionale që zhvillohet çdo datë 1 maj në këtë qytet të vendit fqinj dhe ku marrin pjesë sportistë nga vendet e Rajonit. Ndonëse kushtet atmosferike kanë qenë të papërshtatshme, ai ka arritur një rezultat shumë të mirë duke kërcyer 7. 67 metra, rezultat ky që është më I miri në karrierën e tij. Vetë Smajlaj në një intervistë për gazeten www.shkodrasport.com, është shprehur I kënaqur me suksesin e fundit në Tivar ku doli I pari në mes 18 atletëve pjesmarrës në këtë garë. “Kam përmirësuar me 13 cm rezultatin tim më të mirë dhe sigurisht që jam i kënaqur. Për më tepër që zura edhe vendin e parë në mes 18 sportistëve pjesmarrës në këtë garë, sportistë këto nga i gjithë Rajoni jonë. Po kaloj një moment të mirë dhe kjo falë punës së shkëlqyer që po bëj prej kohësh me trajnerin tim Vildan Tufi”- ka thënë Smajlaj për gazeten tone. E nëse Smajlaj ka arritur një rezultat të mirë në Tivar, objektivi I tij është I qartë: thyerja e rekordit kombëtar. Këtë gjë ai pretendon ta bëjë javën e ardhshme në Shkodër kur do të zhvillohet dita e kërcimeve. “Unë ka kohë që e tentoj dhe objektivi i rradhës është për ta thyer në garat e kërcimeve që zhvillohen javën tjetër në Shkodër”- ka thënë sportisti më i mirë i Shqipërisë.Izmir Smajlaj pak ditë më parë u shpall edhe atleti më I mirë në garat e Kupës së Shqipërisë duke qenë kësisoj në epiqendër të Federatës Shqiptare të Atletikës por edhe të klubit Vllaznia.

Gjergj KOLA