Skuadra e Vllaznisë duket e angazhuar në maksimum për të marrë një rezultat pozitiv në takimin e nesërm me Besën. Për këtë arsye, edhe drejtuesit e klubit kanë vendosur t’ia plotësojnë të gjitha kërkesat stafit drejtues duke e mmbyllur ekipin “në karantinë”. Pas stërvitjes së djeshme të zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, ekipi ka udhëtuar drejt Durrësit ku do qëndrojë deri mesditën e nesërme. Kuqeblutë janë grumbulluar në hotel “Leonardo” në kushte mjaft të mira dhe tashmë prej tyre pritet një paraqitje e mirë në fushën e lojës. Në dispozicion të trajnerit Haxhiosmanoviç janë të gjithë futbollistët dhe kjo do t’ia bëjë atij më të lehtë punën për ndërtimin e formacionit.

Nga sa është parë në stërvitjen e djeshme, formacioni me të cilin do të luajë Vllaznia në këtë ndeshje do të ketë ndonjë ndryshim të vogël. Kështu në portë do jetë sërish Vujadinoviç e po ashtu edhe katërshja e mbrojtjes nuk do ndryshojë me Gocajn, Vukçeviç, Beqirin dhe Bacin. Në mesfushë rikthehet në rolin e shkatërruesit Sykaj që do luajë në qendër bashkë me Tafilin e Krujën ndërkohë që në krahë do jenë si zakonisht Shtubina e Hajdari ndërsa në sulm Bushiç.

© shkodrasport.com