Vllaznia-Tirana është finalja e parë, e cila ka mrekulluar të gjithë. Vetëm me një pikë në sekondat e fundit të lojës ka arritur që Vllaznia të koleksionojë fitoren e parë. Edhe pse Tirana ka kryesuar nga fillimi i lojës e deri në sekondat e fundit, në mbyllje është Vllaznia që buzëqesh. Miqtë shtangin pallatin e sportit të mbushur plot me tifozë kuqeblu, teksa marrin kryesimin në 0-10. Vllaznia është e shpërqendruar dhe gabon në lojën sulmuese, ndërsa nuk mbron siç duhet. Gradualisht shkodranët përpiqen dhe e mbyllin periodën e parë 19-21. Sapo fillon e dyta, Vllaznia për të parën herë barazon 21-21.

Tirana nuk trembet dhe rimerr epërsinë në lojë, duke surprizuar përsëri. Xhokoviç, kur rezultati ishte 31-32, ka mundësi ta çojë për të parën herë në avantazh Vllazninë, por i vetëm pranë koshit gabon. Vllaznisë i rrëshqet loja dhe Tirana shkëputet sërish. 12-17 mbyllet perioda e dytë dhe gjysma e parë e lojës 31-38. 10 minutëshi i tretë flet përsëri për bardheblutë duke u mbyllur në 21-23. Miqtë ruajnë avantazhin e tyre duke shkuar edhe në 10 pikë diferencë 56-66. Kuqeblutë veprojnë me të gjitha forcat dhe afrohen deri në 4 pikë 64-68. Kur kronometri shënonte edhe 5 minuta e 44 sekonda lojë në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” mbizotëron errësira. Një ndërprerje e energjisë elektrike detyron një pushim prej rreth 7 minutash. Veprohet me shpejtësi dhe energjia rikthehet për të bërë që ndeshja të rinisë normalisht. Vllaznia shfrytëzon këtë moment dhe e çon në një pikë diferencën, 67-68. Nuk mjafton, sepse Tirana nuk lëshon, teksa shkëputet sërish 69- 75. Deri në çastet e fundit bardheblutë janë në epërsi, por Vllaznia arrin të dalë në lojën e saj duke barazuar në 81-81, falë një gjuajtje për tri pikë të Sarajlisë. Ankthi është i madh. Tirana nuk dorëzohet dhe kapërcen në 81-83. 57 sekonda mbetet lojë. Sulmon me shpejtësi Vllaznia dhe mrekullisht Sarajlija jep një tjetër gjuajtje për tri pikë, duke shkuar në 84-83. 19 sekonda lojë. Jani për Tiranën thyen përsëri Vllazninë dhe rezultati është 84-85. 10 sekonda loja. Sulmi është për Vllazninë. Xhokoviç fiton dy gjuajtje të lira dhe i realizon të dyja për ta mbyllur periodën e katërt 34-24 dhe krejt ndeshjen 86-85. Tifozët shpërthejnë në delir në këtë fitore emocionuese. Pikëshënuesi më i mirë për Vllazninë ishte Sarajlija me 29 pikë, kurse Jani për bardheblutë me 24 pikë. Finalja e dytë do të luhet më 2 maj në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në orën 18:00.
GJEÇAJ, TRAJNERI I VLLAZNISË:
“Një fitore e mrekullueshme! Një atmosferë e jashtëzakonshme! Nuk e di se kam bërë ndonjë ndeshje të tillë në karrierën time. Ishin të ngarkuar psikologjikisht, por ia arritëm t’ia dilnim mbanë. Ajo që dua t’ju them, është një falënderim i madh për të gjithë tifozët e mrekullueshëm të Vllaznisë. Tashmë fituam ndeshjen e parë finale dhe shpresoj të fitojmë të dytën në Tiranë dhe ta mbyllim me fitoren e tretë në Shkodër”.
Senad Nikshiqi