Ish-lojtari i Gjermanisë, Pol Brajtner, ka analizuar eliminimin shokues të kampionëve të botës nga Botërori, duke thënë për “Besoccer” se mesfushori i Real Madridit, Toni Kros, është fajtori i humbjes që pësoi skuadra e trajnerit Joakim Lëv ndaj Koresë së Jugut.

“Do të isha shumë më i lumtur sikur të kishim shkuar në Botëror pa ato 15 mijë pasimet e Toni Krosit, pasi ato nuk vlejtën për asgjë. Shumë lojtarë të Bundesligës i bëjnë ato që bëri ai.

Asnjëherë nuk u mundua të krijonte hapësira në mesin e fushës apo të depërtonte në mbrojtjen kundërshtare me një pasim apo driblim të thjeshtë.

Nuk mund të shkohet duke besuar se 99% e pasimeve të Kros do të ishin sakta”, u shpreh fillimisht Brajtner.

ASNJË PLAN

“Kombëtarja gjermane nuk kishte asnjë plan. Mbrojtja ishte inekzistente praktikisht në të tri ndeshjet dhe në mesfushë ata ishin në gjendje të bënin vetëm pasime të kota. Kjo është një katastrofë për futbollin gjerman”, vijoi ish-lojtari.

KONTRATA E LËV

Brajtner foli edhe për të ardhmen e Lëv si trajner i Gjermanisë: “Lëv është ai që duhet të thotë: Kontrata ime është deri në vitin 2022 dhe jam i aftë ta drejtoj përsëri përpara këtë ekip. Është një vendim që duhet ta marrë ai dhe jo Federata Gjermane e Futbollit”.