Sonte, “Olimpico” i kryeqytetit italian do të presë ceremoninë, që do të vërtetojë hyrjen e Tottit në “Hall of Fame” të Romës. Shfaqja do të jetë para ndeshjes me Real Madridin dhe kjo nuk është rastësi.

Sepse ai, në emër të besnikërisë ndaj ngjyrave të klubit të zemrës, hoqi dorë nga titujt, “Topat e Artë” të mundshëm dhe shumë të holla: e refuzoi dy herë Real Madridin.

Përpjekja e parë e “Los Blancos” për të marrë kapitenin legjendar të verdhekuqve u bë më 11 shtator 2001. Ndodhi përpara një tjetër ndeshjeje Champions-i, Roma-Real Madrid. Florentino Pérez, gjatë drekës institucionale, i kërkoi Franco Sensit të nënshkruante me kapitenin e tij. Presidenti roman e mbylli këtë çështje me përgjigjen e tij ironike: “Çfarë është kjo, një shaka?”

Por, presidenti i të bardhëve nuk hoqi dorë, iu rikthye pistës “Totti” edhe në vitin 2004, pas ndeshjes Real Madrid-Roma, më 28 shtator (përfundoi 4-2). Ish-yjet e galaktikëve në atë kohë, Beckham dhe Zidane, i kishin thënë Tottit: “Ne e dimë se së shpejti do të jemi shokë skuadre”.

Te Roma, ku kishte edhe vetëm një vit kontratë, Totti fitoi 5.8 milionë euro neto. Florentino Perez i ofroi 12 milionë neto, ose 15 milionë bashkë me të drejtat e imazhit, te Real Madridi. Por, asgjë nuk e tundi besnikërinë e kapitenit për ngjyrat verdhekuqe. “E çmendur, unë do të kisha qenë më i paguari në botë, – kujton njëri nga emblemat e futbollit italian ndër vite. – Real Madridi do të shiste Figon për të liruar fanellën me numrin 10, që Florentino ma premtoi”.

Por, kësi nderimesh të larta dhe paratë e shumta nuk e mundën dot dashurinë për klubin dhe tifozët e tij, të cilat, sipas Tottit, “nuk mund të tradhëtoheshin”: “Unë nuk pranova të shkoj në Madrid, sepse ky klub i madh nuk ishte historia ime. Historia ime është Roma”.

Për hir të tij, në “Santiago Bernabeu”, në vitin 2016, u panë 30 fanella me emrin “Totti”. Florentino Perez e mirëpriti atë, duke thënë: “Shikoni, ai është futbollisti i vetëm që më ka thënë jo”.