Trajneri i skuadrës shkodrane duket i shqetësuar, gjë që nuk mundet ta fshehë. Ishte një tjetër humbje në kampionat dhe skuadra e tij po precipiton frikshëm. Ndjehet i tradhëtuar nga gjyqtarët, kuptohet duke mos iu referuar ndeshjes së djeshme, por edhe disa prej futbollistëve nuk po i përgjigjen, pikërisht tani kur skuadra ka aq shumë nevojë për ta.
– Skuadra ka bërë disa gabime të evitueshme në fazën mbrojtëse gjë që ndikoi në rezultatin përfundimtar të takimit. Cili është opinioni juaj?
– Ndodhi pikërisht kështu dhe u ndëshkuam menjëherë me dy gola. Por duhet thënë që edhe reaguam duke barazuar dhe treguam në njëfarë mënyre që kjo është Vllaznia e vërtetë.
– Por nuk mundët ta mbanit as barazimin
– Sërish gabuam dhe episodet vendosën për fatet e ndeshjes. Popoviç mundi të depërtonte në zonën tone sa herë që dëshironte dhe megjithëse kishim vënë dy mbrojtës shtatlartë që ta mbulonin nuk mundën.
– Pse thoni që ndaj Vllaznisë po bëhet një “gjueti shtrigash”?
– Sepse na trajtojnë si ekip Bashkie me të ardhura të pakta dhe nuk na vlerësojnë nga historia apo qytetaria. Gjyqtarët nga njëra anë, por jo vetëm. Ne luajtëm të mërkurën për Kupë, ndërsa Kastrioti e kishte të gjithë javën pushim. Dhe megjithëse kërkuam të shtyhej një ditë, as këtë nuk na e pranuan.
– Ndonjëherë bëheni skuadër pa personalitet, a është I drejtë ky vlerësim?
– Ka edhe mungesë personaliteti, pasi nuk kemi shumë futbollistë që kanë eksperiencë në Superiore. Na duhet të besojmë shumë tek Bushiç apo Vujadinoviç, por portieri që ka qenë gjithmonë shumë i rëndësishëm për ne, sot ishte pika më e dobët.