Që prej ditës së hënë në krye të Basania është vënë trajneri nga Vushtrria e Kosovës Besart Cecelia. Pas përvojës në disa klube të Kosovës, por së fundi edhe në Vorë me ekipin U19 të saj për një periudhë të shkurtër, tashmë ka ardhur në Bushat për të nisur një përvojë të re ku shpreson të bëjë mirë.
Në prononcimin e parë të dhënë si trajneri i Basanias, ai është shprehur në këtë mënyrë:
“Kam ardhur këtu për një eksperiencë ndryshe. Presidenti Ermir Shimaj më ka dhënë besimin e plotë për drejtimin e Basanias. Atmosfera në klub është e mirë, por na duhet medoemos të ngjitemi më lart në tabelë. Lojtarët kanë kualitet dhe ekipi ka nevojë për një trajner me eksperiencë.
Mendoj se do ta arrijmë nivelin që synojmë. Siç e kam thënë, cilësia te këta djem nuk mungon. Jam i kënaqur me angazhimin, me përgatitjet dhe me gjithçka që kam parë deri tani. Do të përpiqem të sjell një futboll më të shpejtë dhe më intensiv në ekip, dhe besoj se do t’ia arrijmë, pasi kjo është arsyeja për të cilën kam ardhur.
I besoj vetes dhe drejtuesve që më kanë dhënë mbështetje të plotë. Mund të ketë nevojë për një ose dy ndërhyrje në merkato, por në përgjithësi ekipi është shumë mirë. Do të përpiqemi të marrim sa më shumë pikë; pse jo, edhe vendi i pestë është i mirëpritur. Nuk mund të premtoj asgjë, por do të punojmë fort për objektivat tona.
Fitorja ndaj Adriatikut as që diskutohet. Në çdo ndeshje shkojmë për fitore, nuk ka alternativë tjetër. Na duhen pikë dhe na duhet vetëbesim, sidomos në këtë moment, pasi e shoh që skuadrës i mungon pikërisht vetëbesimi.
Mesazhi për tifozët? Të jenë të qetë: Basania do të jetë shumë e fuqishme”.


