Në Shkodër u përfol për mbërritjen e një sulmuesi nga Nigeria, pjesë e akademisë “Derby”, por deri tani nuk ka asnjë zhvillim konkret. Po ashtu, drejtori sportiv i klubit Vllaznia, turku Engin Firat, deklaroi për afrimin e një sulmuesi algjerian dhe dy mesfushorëve, një shqiptar e një maqedonas.

Por edhe në javën që u mbyll nuk është parë asnjë prej këtyre lojtarëve. Nga sa mësohet nga burime pranë klubit, këtë javë që vjen pritet të vijnë edhe lojtarët e parë. Flitet për dy lojtarë, një sulmues e një mesfushor.

Ajo që nuk dihet është nëse janë lojtarët e përfolur nga Firat apo alternativa të tjera që i janë afruar Vllaznisë. Për më tepër, nuk dihet nëse këta futbollistë të përmendur do të vijnë për provë apo do të bashkohen menjëherë me ekipin. Një gjë e tillë mbetet për t’u parë, pasi në merkaton e verës tekniku Lika nuk afroi asnjë pa e parë më parë për vlerat që ka.

Një gjë e tillë mund të ndodhë edhe kësaj here. Mirëpo, koha për të testuar lojtarë sa vjen e pakësohet dhe kjo mund të bëjë që Vllaznia të gabojë në afrimet e bëra. Gjithsesi, duhet që në radhë të parë këta lojtarë të vijnë e më pas të shikohet për seleksionimet e tyre.

Megjithatë, tekniku Lika e ka shprehur edhe gjatë intervistave të tij se e ka më shumë mendjen te grupi sesa tek ajo që do të sjellë merkatoja. Sipas tij, skuadra është e kompletuar dhe po u përgjigjet mirë kërkesave të tij. I vetmi shqetësim që momentalisht ka tekniku është bashkimi me skuadrën i mbrojtësit rumun Dan Ignat.