Blutë kanë mbyllur dje përgatitjet për transfertën e sotme me Vllazninë, ku formacioni do të pësojë disa ndryshime në raport me javët e fundit.

Imami, Rexhinaldo, Maliqi dhe Isaevski janë mungesat e Dinamos për këtë ndeshje, ku pritet që trajneri Devolli, me aq sa është parë, të kalojë në skemën 4-3-3.

Në portë do të jetë Harizaj, ndërsa për qendrën e mbrojtjes duket se Ali Samake ka më shumë shanse për të qenë në krah të Sofranakut. Në të majtë do të luajë Prodani, kurse në të djathtë kthehet Siljanovski, pasi Maliqi është i dëmtuar.

Bardhi, me shumë mundësi, do të spostohet në sulm. Në mesfushën me 3 lojtarë pritet të aktivizohen Sidibe, Lilaj dhe Demiri. Dilema e bluve për ndeshjen sot është sulmi.

Në mungesë të Rexhinaldos, i bie që në qendër të repartit të avancuar të jetë Çinedu, por ky i fundit nuk bind plotësisht me formën e tij dhe mund të aktivizohet kapiteni Ibraimi në këtë rol.

Sulmi do të plotësohet me Rimal Haxhiun, ndërsa braziliani Denison pritet që këtë ndeshje ta nisë nga stoli.