Humbja ndaj Vllaznisë në miqësoren e djeshme nuk e ka mërzitur trajnerin e Veleçikut Besnik Duli. Përkundrazi, ai duket shumë i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij teksa lojtarët janë ende në fazën e marrjes së ngarkesave stërvitore dhe nuk janë shprehur ashtu si duhet në fushën e lojës.

“Ne kemi qenë në pikun e ngarkesave stërvitore dhe prandaj jam i kënaqur me atë çka skuadra ime demostroi në fushën e lojës duke pasë edhe parasysh faktin se përballë kishim Vllazninë, një skuadër të kategorisë Superiore.

U munduam t’i përgjigjemi ashtu si duhet dhe besoj se ia dolëm në 60 minutat e para, deri në momentin e pësimit të golit të parë sepse më pas kryem shumë ndryshime duke aktivizuar shumë lojtarë që janë në provë.

Nisur nga stërvitja që kemi bërë, besoj se në sezonin e ri do të paraqitemi denjësisht sepse Veleçiku tashmë është më i fortë me lojtarët që ka marrë nga Vllaznia. Kemi bërë një gërshetim të mirë të elementit me përvojë me ato të rinj dhe ekipi do të jetë më i shpejtë dhe më efikas në manovrën sulmuese dhe këtu dua të veçoj lojtarët që janë afruar së fundi në ekip si Fikaj, Dyca, Pelinku të cilët bashkë me kontigjentin e vjetshëm do të jenë një garanci për qëndrimin e Veleçikut sërish në kategorinë e parë”- ka thënë ai.

I pyetur nëse Veleçiku i sezonit të ri do të jetë më i fortë se ai i vjetshmi, trajneri Duli përgjigjet: “Jam i bindur se Veleçiku do të jetë më i fortë sivjet. Mund të kemi ende difekte, por ekipi ka zhvilluar një fazë përgatitore të mirë dhe të plotë dhe djemtë janë të përkushtuar për të dhënë më të mirën e mundshme në fushën e lojës”.
Gjon GJEKA