Dëmtimet e disa futbollistëve kanë prishur planet e stafit teknik të Teutës, me në krye trajnerin shkodran Edi Martini, në prag të ndeshjes me Vllazninë. Kështu, në ditët e fundit te durrsakët kanë pasur probleme mbrojtësit Artan Jazxhi dhe Blerim Kotobelli, mesfushori Sherif Kallaku dhe sulmuesi shkodran Ildi Gruda, por pa harruar këtu edhe mesfushorin tjetër Erando Karabeci dhe mbrojtësin Jurgen Goxha, që këtë periudhë kanë pasur probleme fizike dhe janë aktivizuar shumë pak.

Këto janë hallet më të mëdha për trajnerin Martini, i cili shpreson t’i ketë të gatshëm ditën e nesërme pothuajse të gjithë. Kështu sa i takon problemit të dëmtimeve, Kotobelli dy javë më parë, pësoi një tërheqje të muskulit të kofshës dhe ende nuk është në 100% të formës.

Gjithashtu, Kallaku ka ndjerë shqetësim në kofshë dhe po mbahet nën vëzhgim nga stafi mjekësor. Në fakt, deri ditën e nesërme pritet të vendoset për fantazistin nëse do të luajë nga fillimi në Shkodër apo nuk do të rrezikojë.

Ndërkohë, Jazxhi ka pësuar një goditje të lehtë në këmbën e majtë në ndeshjen kundër Tiranës dhe ditët e fundit ka punuar veçmas grupit. Shtatlarti pritet të jetë në fushë, edhe pse nuk ka asgjë të sigurt për momentin.

Ndërkohë, sa i përket Grudës, mësohet se edhe ai ka ndjerë dhimbje në kavilje, por që shikohet si një dëmtim që nuk do ta pengojë nga aktivizimi. Nga ana tjetër, Karabeci dhe Goxha kanë pasur probleme dëmtimi të mbartura prej kohësh dhe nuk dihet ende nëse do të luajnë ditën e nesërme në Shkodër.

Stafi mjekësor i Teutës po bën gjithçka për të pasur të gatshëm të gjithë futbollistët, teksa trajneri shkodran Edi Martini pret që ta ketë të plotë formacionin e tij, por çdo gjë do të varet nga riaftësimet e të dëmtuarve.
Maringlen ZHIVANI