Ancelotti është gati për një tjetër finale të Champions League, por përpara se të arrijë deri atje, duhet të kalojë pengesën e fundit që quhet Manchester City. Në prag të gjysmëfinales së kthimit, Carlo Ancelotti dha konferencën për shtyp, ku u shpreh besimplotë se skuadra e tij mund të dalë triumfuese.

“Plani është i zakonshmi, të përpiqem të marr më të mirën nga lojtarët e mi si individualisht ashtu edhe në mënyrë kolektive”, tha trajneri i Real Madridit në prag të ndeshjes së kthimit kundër Manchester Cityt. “Mendoj se mund të bëjmë më mirë sesa ndeshjen e parë. E kam parë se ku mund të përmirësohemi dhe do të përpiqemi”.

“Ky është viti im i katërt në këtë klub, argëtohem dhe kënaqem çdo ditë. Këtë vit jemi shumë pranë arritjes së diçkaje të rëndësishme, jemi entuziastë dhe shumë të motivuar. Edhe pse e dimë që do të jetë shumë e vështirë, vështirësitë na ndihmojnë të jemi më mirë”.

PENALLTITË- “Nuk i mendoj, por nëse do të arrijmë deri atje, realiteti është se nuk mund të stërvitesh shumë, edhe sepse atmosfera në stadium nuk do të jetë kurrë ajo e një seance stërvitore. Megjithatë, ne mendojmë thjesht që të fitojmë ndeshjen”.

HAALAND- “City kishte vështirësi të rikuperonte topin kur luanim nga prapa, kështu që ne do të përpiqemi ta kemi topin vetë në mënyrë që të na rrezikojnë sa më pak. Megjithatë, kur përgatitemi për një ndeshje, ne nuk vlerësojmë vetëm një lojtar: duhet të planifikojmë mirë gjithë sistemin e mbrojtjes. Në fakt unë mendoj se nëse City bën gol, të paktën ta bëjë sa më shpejtë.”

EMOCIONET- “Jam shumë i qetë, por edhe i emocionuar dhe me vetëbesim. E di që nesër do të kem ndjesi të këqija: që Haaland do të shënojë, që De Bruyne do të shënojë nga jashtë zonë… Megjithatë më duhet të mendoj për driblimin e Vinit dhe golat e Karimit. Të vinim deri këtu nuk ka qenë e lehtë, prandaj duhet të argëtohemi”, tha ndër të tjera Ancelotti. /oversport/