Lajme të mira në kampin shkodran. Një nga dyshimet e stafit teknik për aktivizim apo jo në ndeshjen ndaj Kukësit, ia ka dalë të rikuperohet dhe të jetë i gatshëm për lojë. Ky është një lajm i mirë që ka ardhur dje në fushën e stadiumit “Reshit Rusi” nga stafi mjekësor për gjendjen e mbrojtësit Denis Pjeshka. Edhe pse në fakt kishte disa ditë që ishte rikthyer pas dëmtimit që pësoi në fund të vitit të kaluar, ditët e fundit të përgatitores në Ulqin rishfaqi probleme me gjendjen fizike, duke e vënë në dyshim gatishmërinë për të luajtur në ndeshjen me Kukësin.

Dhe pas konfirmimit të stafit mjekësor, trajneri Gjoka e ka vendosur Pjeshkën menjëherë në krahun e djathtë të mbrojtjes, pikërisht aty ku kishte edhe dilemën e fundit për njëmbëdhjetëshin anti-Kukësi. Në fakt, aty është vendi i Olsi Gocajt, por me gjithë terapitë intensive të ditëve të fundit, edhe për këtë ndeshje ai nuk duket se është për lojë.

Megjithatë, rikuperimi i Pjeshkës i ka dhënë qetësi teknikut kuqeblu, pasi futbollisti në fjalë e njehë mirë atë pozicion, ku ka pasur aktivizime të shumta. Tashmë formacioni anti- Kukësi duket i plotë dhe nuk mbetet gjë tjetër vetëm të presim marrjen e një rezultati pozitiv nga kuqeblutë.
© shkodrasport.com