Nga një ekip që donte ngjitjen në nisje të sezonit dhe me pompozitet krenohej se nuk kishte rivalë, ka përfunduar në vendin e 6-të. Flasim Për Besëlidhjen, e cila pas javës së 14-të të Kategorisë së Parë po diskuton mbijetesën. As vetë lojtarët nuk e besojnë dot që kanë lënë kaq shumë pikë rrugës dhe janë në të tilla pozita, por realiteti i tillë është.
Kërkohet kthesa urgjente dhe ndoshta ky mund të jetë shansi i fundit për të kapur katërshen e parë. Do të luajnë në transfertë me Erzenin këtë të shtunë, që është dy kate me lart në renditje. Ky 90-minutësh mund të konsiderohet ndryshe edhe si kufiri që ndan zonën e luksit me atë të “ferrit”.
Skuadra prej së hënës ka nisur përgatitjet për këtë ndeshje, prej së cilës pritet vetëm fitorja. Humbja ndaj Korabit dhe për më tepër në shtëpinë e tyre, i ka dërrmuar moralisht. Besëlidhja ka 6 ndeshje radhazi që nuk fiton, ndaj puna më e vështirë i mbetet Sinan Bardhit. Trajnerit i duhet që të punojë në planin teknikotaktik për të korrigjuar gabimet që kanë shfaqur në lojë, por edhe atë psikologjik.
Besëlidhja e nisi sezonin me ambicien se do të ishte më e mira në grupin e saj dhe kjo u pasqyrua edhe me fitore spektakolare në transfertë, si ajo ndaj Partizanit B me shifrat 2-6. Por, kjo mund të konsiderohet edhe si një fitore spontane, pasi më tej gjithçka u rrokullis duke u ulur shkallë pas shkalle në tabelën e klasifikimit dhe për t’u dergjur sot në vendin e gjashtë të saj.
Ky pozicion vë në dyshim edhe mbijetesën e lezhjanëve që po luajnë të 13 sezon në nivelin inferior. Ky është një “rekord” i zi për Besëlidhjen, e cila gjatë 90 viteve histori në futbollin shqiptar, 25 sezone ka milituar në nivelin elitar.