Tre barazime rradhazi të Universitateas së Kraiovës e kishin vendosur nën presion trajnerin e këtij ekipi, Laszlo Balint. Madje, deklaratat shkuan deri në atë pikë sa nëse nuk kualifikohej në turin tjetër të Conference League në ndeshjen me Vllazninë, të largohej nga drejtimi i Kraiovës.

Trajneri rumun e kishte ndeshjen ndaj shkodranëve si mundësinë e fundit për të ruajtur stolin e tij, që ishte lëkundur së tepërmi këto javët e fundit, pas tre barazimesh, dy në kampionat dhe një kundër Vllaznisë.

Megjithatë, pas ndeshjes me shkodranët, ku fitoi me rezultatin e pastër 3-0, gjithçka u kthye në favorin e Balint. Një gjë të tillë ai e ka reflektuar edhe në mediat rumune, teksa u shpreh se asgjë nuk është rastësore, ndërsa theksoi se ishte i bindur për këtë sukses.

Në këtë mënyrë, trajneri Laszlo Balint ka gjetur qetësinë. Të paktën për momentin, duke kaluar një provë të vështirë siç ishte kjo ndaj Vllaznisë, teksa tashmë drejtuesit i kanë dhënë besimin e duhur të vijojë në drejtimin e skuadrës së Kraiovës.

“Nuk ishte aspak e lehtë. Jam i kënaqur me mënyrën se si skuadra e përballoi këtë ndeshje. Nuk e kam thënë këtë vetëm një herë, por e përsëris gjithmonë që asgjë nuk është rastësore.

Çfarë ndodhi këtë të enjte ishte një shenjë e mirë për ne. Ne mund të shënonim që në aksionin e parë. U thashë djemve në pushim se duhet të kishim durim dhe besim.

Isha plotësisht i bindur se goli do të vinte. Kishte edhe pak mungesë fati, pasi kishim situata të pastra. Megjithatë, nuk ka rëndësi kur u shënua, ka rëndësi kualifikimi.

Kemi luajtur ndeshje, ku kemi qenë në kontroll të plotë. Me Vllazninë, gjithçka shkoi sipas planit, edhe pse golat erdhën në pjesën e dytë”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Universitateas së Kraiovës, Laszlo Balint.
Maringlen ZHIVANI