Trajneri i Kukësit, Diego Longo, ka lënë në mes deklaratën e zakonshëm për “SuperSport” pasi nuk ka pranuar të flasë për TV-në. Shkak është bërë përplasja e javës së kaluar me Sulejman Memën rreth golit që iu anulua verilindorëve ndaj Laçit. Longo e ka cilësuar si tifoz të Tiranës ish-futbollistin e trajnerin, ndërsa pretendon se pa një ndjesë nga ana e tij, nuk do të kthehet të flasë më.
“Fillimisht dua të them që herën e fundit ndodhi diçka që nuk mund ta pranoj. Respektoj gazetarët dhe mediat se është fuqi e punës tonë, futbollit. Por nuk do të flas me tifozë, nuk do të dal në TV të flas me ta. Nëse është për të folur me tifozë flas me tifozët e ekipit tim, jo me të Tiranës apo ekipeve të tjera. Kam përgjegjësinë time para tifozëve.
Në fakt në të gjithë paraqitjet e tjera televizive nuk ka pasur gjëra të tilla. Unë mbaj përgjegjësi për punën time dhe të tjerët për të tyre. Deri në momentin që të ketë një ndjesë publike për mua dhe tifozët e Kukësit, nuk do të flas më. Nëse një gjë ndodh, jam përgjegjësi i ekipit.
Ai trajneri që ishte në studio (Mema), është tifoz i Tiranës, foli si tifoz. Nuk dua të flas me të, edhe “SuperSport” nuk duhet të sillet kështu. Më pas një person i stafit tim u sulmua nga TV dhe nuk është profesionale.
Ky nuk ishte opinion, ka disa raste që diskutohen por e kuqja duhet të jetë e kuqe dhe e bardha e bardhë. Nuk mund të flasësh me tifoz për gol apo jo, se tifozi është tifoz”, tha Longo dhe u largua .