Paraqitjet e Vllaznisë së fundmi nuk kanë lënë një shije të mirë në ambietin e futbollit në Shkodër. Edhe barazimi në javën e 10-të kundër Erzenit patjetër ka ulur disi ritmin e shkodranëve.

Për këtë ka komentuar edhe Ersi Çaku, trajner i Shkodra u-19, ai thekson se loja nuk është aty ku pritet. Gjithashtu pjesën më të madhe të përgjegjësisë e hedh tek futbollistët që nuk janë mësuar të mbajnë presionin sipas tij.

Çaku tha: “Mu duk e çuditshme që një ndeshje me Erzenin ku ekipi kishte gjithçka nën kontroll, të “hidhej në erë” në 15 minutat e fundit. Nuk e pranoj që skuadra ka probleme fizike, por atu shoh futbollistë që ndoshta nuk janë mësuar me presionin e vendeve të para. Apo janë edhe jashtë forme këtë edicion.

Duke filluar nga portieri që për mua gaboi edhe tek goli i parë i Erzenit ku mund të bënte një dalje më të shpejtë. E për të vijuar me Juriç në mbrojtje, që është shumë difektoz. Në mesfushë as Jonuzi nuk më duket ai i sezoneve të shkuara e po ashtu Marku që shumë kush e cilëson si lojtarin më të mirë të skuadrës.

Edhe sulmuesit kanë pjesën e tyre të fajit si Aralica e Kaina që nuk po dinë të krijojnë vazhdimësi. Ekipi duhet të tregojë forcë karakteri dhe duhet ta tregojë që në duelet kundër Kukësit dhe Tiranës. Besoj se skuadra do marrë 4 pikë në këto dy ndeshje pavarësisht se zemra ma do që të marrin 6 të plota”.
Endri ÇINARI