Paulo Fonseca ka dalë kundër tifozëve të Lillë, të cilët kanë nisur reagimet ndaj lojtarëve për performancat negative. Edhe pse trajneri i ekipit francez kishte një marrëveshje deri në vitin 2024, gjasat janë që gjithçka të përfundojë më parë.

Portugezi nuk e ka pritur mirë irritimin e tifozëve të skuadrës së tij që vërshëllyen dhe ofenduan lojtarët pas barazimit kundër Reims.

“Jam shumë i zhgënjyer me tifozët tanë. Ata na kanë mbështetur gjithmonë deri më tani, por bënë të kundërtën kur skuadra kishte nevojë më shumë se kurrë për ta.

Nëse ka një fajtor, ai jam unë. Nëse duhet të protestojnë, atëherë le ta bëjnë ndaj meje dhe jo ndaj futbollistëve.

Nëse nuk janë të kënaqur me mënyrën se si luajmë, ka një zgjidhje: mundem të largohem. E kam shumë të thjeshtë ta bëj. Jam shumë i zhgënjyer me këtë situatë”, ka thënë ai. Lille aktualisht gjendet në vendin e shtatë në kampionatin francez./newsport/