Dashnor Hasani ka reaguar ashpër në lidhje me listën e Kombëtares U-21 që ka publikuar Alban Bushi. Trajneri i njohur i portierave i kujton FSHF-së “gardianin” e Besëlidhjes, Samet Bajrin. Sipas tij lojtari i lezhianëve meriton plotësisht ftesën nga kuqezinjtë.
Kombëtarja për të është shndërruar si një grua e divorcuar, ndaj i bën thirrje futbollistit të stërvitet fort sepse mundi i tij nuk do të shkojë kot. Përmes një postimi në rrjetet sociale, trajneri i portierave të Besëlidhjes shkruan:
“Mos u mërzit talent. Edhe këtë radhë nuk të ftuan në dy ndeshjet e radhës të Kombëtares U-21. Respektojmë zgjedhjet e drejtuesve të U21. Të tregosh vlerat duke mbrojtur ngjyrat e kombëtares është kënaqësi, por duke ditur mënyrat dhe zgjedhjet që bëhen te U-21 është kënaqësi që nuk të kanë thirrur. Ti je një pronë që çdo ditë që kalon të rritet çmimi. Je më lart në çdo tregues se portierat e thirrur, bazuar në fakte dhe jo hamendësime. E keqja jote është ti je një portier bio dhe nuk ke përdorur dhe nuk do përdorësh kurrë vitaminën M dhe vitaminën L.
Vazhdo rrugën tënde. E ardhmja të përket ty. Kombëtaret e moshave janë bërë si gra të divorcuara. Kështu që më mirë rri singëll dhe stërvitu dy herë në ditë. Djersa e derdhur nuk do të shkojë kot. Unë nuk bëj pjesë te trajnerët servila, as nuk mbaj era alkool dhe duhan në stërvitje. Nuk peshoj 120 kilogramë, kështu me 41 vite me portën kam vendosur deri në mbyllje të jem realist në punën time. Për sa i përket lartpërmendurit, portierit të Besëlidhjes Lezhë, Samet Bajri, kam shumë për të thënë, por ai flet vetë në portë”./newsport/