Trajneri i Norvegjisë, Stale Solbaken, mendon se FIFA i ka bërë “lavazh truri” Arsen Venger, që kur ky i fundit ka nisur të punojë për organizatën ndërkombëtare.
Komentet vijën pasi Venger, shefi i departamentit të zhvillimit të futbolit që nga viti 2019, deklaroi se skuadrat të cilat ishin marrë me qëndrime politike, më pas ishin paraqitur nën nivelin e zakonshëm gjatë Katar 2022.
Kështu, Solbaken, nuk ka ngurruar t’i kthejë përgjigje trajnerit francez të cilit iu vu nofka “Profesori” në periudhën kur drejtonte Arsenalin. Duke folur për televizionin norvegjez “TV 2”, ai nuk ngurroi t’i cilësonte budallallëqe deklaratat e Venger në mbështetje të Katarit si dhe sugjerimi i francezit për ta bërë Botërorin një aktivitet që zhvillohet çdo dy vite.
“Të bën të dridhesh kur sheh personin më të zgjuar në botë, Arsen Venger, të cilin e ke parë si shembull për shumë vite, që në një farë mënyrë i kanë bërë lavazh truri dhe tani bën deklarata nga më idiotet”, tha Solbaken.
“Është situatë e frikshme me të gjithë këta njerëz që kemi pasur si shembull ndër vite. Mendoj se po bëhet një polarizim i tyre tani dhe kam frikë se situata do të përkeqësohet:”, theksoi ai.