I kontaktuar nga “E hëna sportive”, Ylli Çekiçi, drejtori teknik i skuadrës së Pogradecit, para ndeshjes me Besëlidhjen që luhet ditën e mërkurë pasdite, ora 18:00, në “Elbasan Arena”, tha: “Pogradeci ka qenë gati tërë sezonit, ndoshta pandemia na dëmtoi. Ndoshta ekipet që ishin poshtë nesh arritën kulmin, ne që ishim sipër e pësuam. Ndeshja në Kavajë ishte kulmi që na dëmtoi. Tashmë mendojmë për Besëlidhjen, ndeshje që e luajmë ditën e mërkurë”.

Besëlidhja

“Besëlidhja me ecurinë e saj dhe me grupin që ka, e kam parë edhe në Kupën e Shqipërisë. Është një ekip që ka lojtarë cilësorë. Duhet që të marim masat, sepse ka në gjirin e vet që bëjnë diferencën. Them që do të jetë një ndeshje e hapur, por për të dyja ekipet e parashikoj si ndeshjen më të mirën. Kurse ndaj Vllaznisë, presioni do të jetë mbi Vllazninë. Këtë e parashikoj ndeshjen më të mirë. As ne dhe as Besëlidhja nuk është se do humbasim. Por, me lojtarët që kemi treguar besoj se nuk duhet që ta lëshonim vendin e parë. Ne i urojmë suksese Apolonisë, tani ajo që iku, iku…”.

Strategjia

“Ne jemi me 99% lojtarë vendas dhde kjo na ngroh më tepër, kemi veteran por kemi edhe lojtarë të talentuar. Madje, janë tre lojtarë që janë afruar nga skuadra U-19, kanë perspektivë. Pogradeci ka moshat U-7 dhe U-19 në Superiore dhe çdo vit nga ata lojtarë inkuadrohen në ekipin e parë dhe premtojnë shumë. Me ndërhyrje të vogla besoj se ja dalim, duke shtuar pak buxhetin”.

Ekip bashkie

“Nuk mund të themi që Vllaznia ka pasur probleme pagash. Bashkia jonë na ka mbështetur është korekte dhe kam besim se nëse ngjitemi do të jemi ndryshe. Por, të kalojmë njëherë Besëlidhjen, pastaj të shohim…”.