Monday, April 20, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E DYTETrajneri i Tërbunit sfidon Sopotin: Nuk i trembemi, synojmë kualifikimin

Trajneri i Tërbunit sfidon Sopotin: Nuk i trembemi, synojmë kualifikimin

Nga Maringlen ZHIVANI

Kategoria e Dytë ka mbyllur kampionatin e saj, duke përcaktuar skuadrat që kanë siguruar objektivat dhe ato që do të vijojnë garën në “Play-Off”. Mes tyre është edhe Tërbuni i Pukës, që vjen pas një fitoreje të rëndësishme në transfertë ndaj Basanias, sukses që i dha vulën pjesëmarrjes në fazën vendimtare të sezonit, që është ajo e play-off.

Megjithatë, vëmendja kryesore tashmë është përqendruar te sfida gjysmëfinale ndaj Sopotit, një përballje direkte që do të vendosë shumë për fatin e sezonit të pukjanëve. Në këtë kontekst, trajneri i Tërbunit, Anxhelo Suta, ka qenë i qartë dhe i vendosur në deklaratën e tij, duke e bërë të qartë ambicien e skuadrës.

“Ne kemi kaluar një rrugë jo të lehtë deri këtu, sidomos në fazën e parë ku nuk ishim në nivelin që kërkonim. Por reagimi i ekipit në fazën e dytë ka qenë shumë pozitiv dhe kjo na jep besim për vazhdimin. Respektojmë Sopotin si kundërshtar, por nuk i trembemi aspak. Kemi grupin, cilësinë dhe karakterin për të përballuar këtë ndeshje. Do të hyjmë në fushë për të dhënë maksimumin dhe synimi ynë është i qartë: të kualifikohemi. Besoj te skuadra ime dhe jam i bindur që mund ta arrijmë këtë objektiv.”

Një deklaratë që tregon qartë mentalitetin e Tërbunit në këtë fazë të sezonit, ku çdo ndeshje është vendimtare dhe objektivi mbetet ngjitja në Kategorinë e Parë.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments