Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, para ndeshjes me Bylisin që luhet nesër në orën 16:00, është shprehur në konferencën për mediat se ndaj ballshiotëve do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme, ku do të synohet fitorja. Jonuz ka thënë se mallakastriotët kanë një ekip të mirë, si në mesin e fushës, por gjithashtu edhe në repartin e sulmit.
Jonuz ka theksuar se do tentohet fitorja, por e rëndësishme është që skuadra të mos dalë me humbje nga kjo ndeshje.
“Dua të dërgoj një mesazh për lojtarët e mi. Ishte një fitore e mirë. Tani pas kësaj ndeshje, kemi probleme të vogla për të zgjidhur. Kemi bërë 2 ditë stërvitje dhe lojtarët tashmë janë mirë. Lojtarët e tjerë po punojnë normalisht. Dje e kemi pasur pushim dhe sot do vazhdojmë punën normalisht. E kam parë Bylisin, së bashku me skuadrën kemi marrë informacion. Kanë një skuadër të mirë. Kanë një trajner shumë të mirë, luajnë me të njëjtin sistem dhe mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e mirë. Besoj që lojtarët e mi do të japin maksimumin, do të japin gjithçka. Bylis ka një mesfushë të mirë, ashtu edhe në sulm. Besoj se lojtarët tanë, do të japin gjithçka për të marrë 3 pikët”.
Ndeshjet e tjera?
“Çdo ndeshje do të jetë një eksperiencë e re për ne. Do të jetë një punë e re. Kaluam Laçin, tashmë kemi Bylisin. Unë jam i kënaqur me skuadrën, të gjithë lojtarët po stërviten dhe me mbarimin e ndeshjes të marrin 3 pikët”.
Më tej, Mirsad komentoi edhe deklaratën e Cungut, i cili është shprehur pak ditë më parë se golin e Vllaznisë ndaj Laçit “e mbushi shejtani”. Tekniku ka deklaruar se nuk do të merret me këto deklarata, por i fton trajnerët shkodranë të vijnë në stadium dhe të mbështesin skuadrën.
Cungu?
“Është opinioni i tij. Unë kam një mesazh për trajnerët shkodranë të vijnë dhe të mbështesin Vllazninë. Nuk ka rëndësi për mua se çfarë ka thënë ai. Kjo nuk ka shumë rëndësi për mua. Për ne është shumë e rëndësishme të mos e humbim ndeshjen. Shumë e rëndësishme është të marrim pikë në fillimin e kampionatit. Pas ndeshjes me Tiranën kemi 15 ditë pushim”.