Mirsad Jonuz nuk është i sigurt nëse do ta mbyllë ose jo sezonin në krye të Vllaznisë. Trajneri nga Maqedonia e Veriut ka folur dje për mediat në vendin e tij, duke sqaruar se kontrata e tij me klubin shkodran i skadon më 31 maj.
Duke qenë se situata te Vllaznia ka qenë kaotike, portali maqedonas “sportmedia.mk” ka kontaktuar trajnerin, duke e pyetur lidhur me të ardhmen.
“Është e vërtetë që gjërat nuk janë ashtu si ne duam dhe në fakt duhet të jenë për një klub si Vllaznia. Ka probleme dhe po kërkohet një mënyrë mes palëve për të gjetur një kompromis.
Nëse nuk zgjidhet gjë, është e lehtë për mua, sepse jam profesionist. Kontrata ime me Vllazninë zgjat edhe 5 ditë të tjera, pra deri më 31 maj.
Pas kësaj date unë jam i lirë, kështu që në rast se gjërat bëhen më mirë, do të mund të flisnim me klubin për zgjatjen e kontratës. Nëse situata nuk ndryshon, atëherë e dimë se çfarë do të ndodhë. Pas 31 majit unë nuk kam asnjë detyrim ndaj Vlaznisë”, është shprehur Jonuz.
Aktualisht trajneri ndodhet në Shkodër, por nuk ka mundësi ta stërvisë skuadrën për shkak se i duhet të qëndrojë edhe disa ditë i ngujuar në bazë të ligjit për pandeminë. Gjithsesi, trajneri ka marrë një garanci nga klubi për vazhdimësinë.