Kastrioti dhe Vllaznia do të luajnë ditën e premte në orën 13:00, në stadiumin e Kamzës ndeshjen e javës së 14-të të Abissnet Superiore.
Realisht, kuqeblutë, pas humbjes së pësuar të hënën me Egnatian në “Loro Boriçi”, nuk janë aty ku duhet sa i takon moralit dhe situatës psikologjike.

Megjithatë, duhet që në mënyrë urgjente Vllaznia të bëjë kthesën e duhur që në ndeshjen e së premtes ndaj Kastriotit, që gjithsesi as ajo nga ana tjetër nuk do të jetë e lehtë

Në lidhje me këtë ndeshje, trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, mendon se përballja e kësaj jave me Kastriotin pritet të jetë shumë e vështirë. Kështu sipas tij, të gjitha ndeshjet janë të vështira, teksa ai rikujtoi edhe vuajtjet që pati Vllaznia në fazën e parë për të fituar ndaj Kastriotit në “Loro Boriçi”, edhe pse në fakt shënoi që në minutën e parë.

“Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Ne e kemi parë se çfarë ndeshjeje kemi fituar me Kastriotin këtu. Kemi shënuar që në minutën e parë të ndeshjes dhe pastaj kemi vuajtur gjatë gjithë kohës. Kështu që, ne duhet të jemi shumë më të qetë kur vjen puna për të ndërtuar lojën”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa.
Maringlen ZHIVANI