Trajneri i Vllaznisë, Migen Memelli, ka dalë i kënaqur nga loja e skuadrës dhe rezultati i ndeshjes. Collage Maker-14-
Në fund të sfidës, Memelli pranoi për median e shkruar se është në pritje të një sulmuesi tjetër që do të kompletojë skuadrën. Nga ana tjetër, trajneri i Vllaznisë garantoi të gjithë lojtarët se do të kenë hapësirën e tyre në një kampionat të gjatë, ndërsa të mos mërziten nëse janë titullarë apo rezerva.
“Unë e kam thënë vazhdimisht që në çdo miqësore nuk ka rëndësi rezultati edhe kur kemi barazuar në ndeshjet e kaluara, por edhe kur i kemi humbur në këto përgatitore. Ajo që është e rëndësishme për ne, është se grupi është solid dhe po plotësohet dita-ditës. Lojtarët po fitojnë ritmin e tyre, çka është shumë e rëndësishme se kampionati po vjen.
E kësisoj, duke fituar ritmin do të jemi gati për ndeshjen e parë. Na mbeten në dispozicion edhe dy javë, kështu që do të na duhet edhe një miqësore tjetër për të konkluduar dhe konsoliduar atë pjesën përbërëse të skuadrës që mendojmë se mund të startojë dhe besoj do të jemi gati për atë ndeshje të parë. Gjatë sezonit nuk do të kemi asnjëherë një njëmbëdhjetëshe fikse apo stabël, pasi mund të ketë një apo dy ndryshime çdo javë.
Sepse ju e dini shumë mirë, që duke qenë kampionat i gjatë, do të ketë dëmtime, penalizime, kartonë. Pra, do të ndryshojë manovra nga një skuadër në një skuadër tjetër. Mund të luash më tepër ofensiv, sikurse mund të luash më tepër difensiv.
Sikurse u pa dhe të shtunën dy skuadrat bënë shumë mirë dhe besoj se kjo ndeshje u vlejti të dyjave për pjesën e fillimit të kampionatit. Ende nuk jemi kompletuar totalisht, do të presim edhe rolin e një sulmuesi kryesor dhe pastaj do të bëjmë mbylljen e merkatos”, mbylli Memelli.