Opinion nga RAMADAN BIGZA
“Kush është ky”?.Kjo ishte pyetja që bëri trajneri Italian, i cili po bën kursin si trajner me një ndër ekipet legjendë të futbollit tone siç është Vllaznia.Baldoja, kursanti fatlum, them kështu sepse nuk i ka ndodhur ndonjë trajneri në botë, të bëje kurs për trajner me ndonjë ekip elitar të ndonjë vendi. Ai e bëri këtë pyetje kur i thane se Vioresin Sinani do të jetë ndihmësi i tij në ndeshjet e mbetura të këtij kampjonati. Baldoja , a thua se vjen nga Kozmosi, bëri pyetjen, që shtangu të gjithë ata që e njohin sadopak historinë e Vllaznisë dhe rolin e Sinanit me këtë ekip, duke thënë: “Kush është ky?”Sigurisht që këtu nuk është krejtësisht faji i Blados por i atyre që i kanë besuar atij për të drejtuar një ekip të këtij niveli pa pasur as edhe një licesë trajneri. Por faji i kursantit Raineri është sepse ai nuk ka marrë mundimin të mësojë diçka për ekipin që drejton, për historinë e tij, kulturën etj. Nëse do ta kishte bërë këtë gjë, ai do të dinte se Vioresin Sinani është një prej legjendave të Vllaznisë , është një nga lojtarët më jetëgjatë të saj dhe mbi të gjitha në karrierën e tij sportive ka shënuar plot 208 gola, çka e ka bërë atë absolutisht ndër dy golshënuesit më të mirë në historinëe këtij vendi pas Refik Resmes. Besoj se po ta dinte këtë histori të lavdishme të atij, që kishin vendosur për t’i ndenjur në krah, me siguri që nuk do ta bënte atë pyetje të çuditëshme por edhe fyese njëkohësisht. Mendoj se kjo ishte arsyeja se përse Vioresin Sinani nuk u paraqit për të marrë detyrëm e zëvendëstrajnerit në krah të Baldo Rainerit. Dhe ka të drejtë.
E pra nuk është rasti i parë. Teksa shkruaj për fenomenin Raineri, m’u kujtua një bisedë, që kam bërë vite më parë me Bledar Kolën, ish futbollistin e njohur të kombëtares sonë. Ata që e kanë njohur Bledin, që kur ai e filloi futbollin 15-vjeçar tek Besëlidhja, më vonë tek Partizani, tek ekipi ynë kombëtar por edhe tek ekipet e njohura greke Panathinaikos, AEK etj, ai ka luajtur si qendërsulmues.Ishte një vit kur kombëtarja jonë drejtohej nga trajneri italian Dossena dhe kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje miqësore në Prishtinë. Mbas shumë kërkesash të gazetarëve për ta rithirrur Kolën në kombëtare, kjo gjë u bë realitet por Dossena në vend që ta respektonte, duke i rezervuar për disa minuta rolin e organizatorit, e aktivizoj si sulmues të majtë?!. Mbi të gjitha ai mbajti një qëndrim mospërfillës ndaj një futbollisti, që kishte shkëlqyer me kombëtaren.
Jo radhë futbollistët tanë kanë rënë “viktima” të këtyre trajnerëve, të cilët edhe pse betoheshin se do të jepnin gjithçka për kombëtaren, sa largoheshin nga objektivat, harronin se cfarë kishin thënë më parë. Kështu e kanë pësuar ndër vite Rudi Vata, Erjon Bogdani, Arjan Beqaj, Igli Tare etj. Nuk ka me hall se i huaji të bëhet zot në shtëpinë tënde.
Si ndodh tek ne, nuk ndodh në asnjë vend tjetër. E pra si çdo vend edhe ne kemi yjet tanë, legjendat tona, njerëzit e sakrificës, të rekordeve etj, etj.Klubet tona tashmë shkojnë drejt shekullit. Ata kanë historitë e tyre traditat e tyre, përvojat e tyre, që nuk ka të mohohen nga njerëz të rastësishëm, që bëhen protagonistë për një kohë të shkurtër të jetës së tyre sportive. Të huajt, duke përfshirë trajnerë e futbollistë, duhet të dinë më mirë për vendin ku shkojnë, për interesat e klubeve, për angazhimet e tifozëve, për objektivat, që do të realizojnë etj. Nuk mundesh kurrsesi të jesh drejtues i një ekipi nëse nuk njeh historinë e tij. Nëse nuk njeh protagonistët e tij ndër vite. Shembulli i Rainerit është shembulli më i qartë se si nuk duhet të veprojë një trajner.
Nëse duken qartë tendencat e tyre për të qenë kalimtarë, ata duhen larguar menjëherë sepse nuk janë për këtë punë pavarësisht se vijnë nga Italia, Greqia, Zvicra, Gjermania, Kroacia etj, etj.
Duke u kthyer tek titulli i këtij shkrimi, them se po të ketë një njohje të mirë të realitetit nuk ka pse të jemi inferiorë ndaj të huajve ndërkohë që të huajt po të mësojnë më shumë historinë tonë,nuk mund të bëjnë pyetje të tilla si fjala vjen vjen:” Kush është ky”!.