Paolo Tramexani ka folur dje për mediat italiane si “eksperti” për kampionatin zviceran të futbollit, ku ka drejtuar Luganon dhe Sionin, për të komentuar shortin e Ligës së Europës ku Napoli i Elseid Hysajt është vënë përballë Zyrihut. Ish-asistenti i De Biazit te Shqipëria, ka evidentuar Benjamin Kolollin si një nga elementët që italianët duhej të kishin kujdes në radhët e kundërshtarëve, një futbollist të cilin e kishte ndjekur për pak kohë.
“Ka një diferencë të madhe mes dy skuadrave, por ajo mund të duket më pak në një sfidë të dyfishtë. Në fushën e vet Zyrihun mund ta ndjekë një publik i madh, është paraqitur mirë në Ligën e Europës dhe në kampionat po paraqitet mir gjithashtu. Luan me 4-2-3-1, pas sulmuesit është Markezano, një lojtar interesant, ashtu si Kololli, të cilin e kam ndjekur sepse ka origjinë shqiptare”, shpjegoi Tramexani.
I pyetur më pas nga “RMC” se pse Hysaj nuk po luante me aq rregullsi dhe ishte vënë në diskutim te Napoli, Tramexani ka ftuar mbrojtësin të rrijë i qetë, pasi nuk po bën ndonjë gjë gabim.
“Në rregullat e rotacionit të Ançelotit, duke pasur një konkurrent të rëndësishëm në krahun e tij, Hysaj po shfrytëzohet më pak. Djaloshi ka pasur një rendiment konstant në vitet e tij në klub, është rritur shumë në aspektin e fazës mbrojtëse. Ai ka dhënë garanci të mëdha gjatë qëndrimit te Napoli, por të isha në vend të tij, nuk do të shqetësohesha shumë nëse do të më ulnin në stol.
Në fund ka rëndësi skuadra, e cila vjen para çdo gjëje. Ai është një djalë inteligjent, di të pranojë këto situata për të mirën e Napolit”, komentoi Tramexani i cili tani po drejton në Qipro skuadrën e APOEL. /vipsport/