Frederik Veseli ka vendosur që t’i japë lamtumirën futbollit italian, duke u larguar nga Empoli edhe pse kishte kontratë për dy sezonet e ardhshme me klubin italian. Destinacioni i radhës i mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare do të jetë Turqia.

Një zgjedhje disi e çuditshme duke llogaritur se janë të shumtë ata që do të dëshironin të luanin në futbollin italian e aq më tepër me një klub me emër si Empoli ku ai në vitet e fundit ka qenë thuajse gjithmonë titullar ne Serinë A dhe B.

Mungon vetëm zyrtarizmi, por lojtari ka gjetur akordin me klubin turk të Denizlispor dhe do të vazhdojë atje karrierën e tij. Nga përtej Adriatikut bëhet e ditur se marrëveshja mes palëve është arritur dhe se Veseli do të prezantohet këto ditë në klubin e tij të ri.

Denizlispor është një skuadër e cila në vitin e fundit është ngjitur nga kategoria e dytë turke në elitën e futbollit dhe dëshiron që të mos rrezikojë rënien e të lërë menjëherë shenjë. Ndaj po bëhen përforcime cilësore si ai i Veselit, i cili pritet të jetë një titullar i paprekshëm në radhët e këtij klubi në edicionin e ri. /vipsport/