Bekim Balaj ka zyrtarizuar të premten transferimin e tij te Shturm Grac, duke i bërë pjesë e klubit me traditë në Austri për të vazhduar karrierën atje pas 3 viteve të kaluara në Rusi me fanellën e Akhmat Grozni. Sulmuesi shqiptar kërkonte një aventurë më pranë Shqipërisë, në një kampionat cilësor dhe ka arritur të gjejë akordin me austriakët.

Këta të fundit kanë qenë të lumtur që kanë firmosur me një sulmues me peshë, siç treguan në konferencën e prezantimit, por edhe për faktin se kanë marrë siguri të plota se lojtari kishte cilësitë e duhura për të bërë mirë në radhët e Shturm Grac.

“Ne punuam për tre javë që të siguronim këtë transferim. I kërkuam informacione Hamdi Salihit dhe Rashid Rahimov dhe nga të gjithë anët na erdhën përgjigje të jashtëzakonshme”, shpjegoi Gynter Kreisl, drejtori sportiv i austriakëve.

Salihi është një emër i njohur në Austri ku ka shkëlqyer me fanellën e Ried dhe Rapid, ndërsa Rashid Rahimov është trajneri i Akhmat Grozni i cili ka drejtuar në këto tre vite Balajn në Rusi.

Edhe ai është një emër i njohur në futbollin austriak, pasi ish-mesfushori rus ka kaluar 7 vite në kampionatin austriak. /vipsport/