Shkruar nga Endri ÇINARI
Në prag të javës së 32-të të kampionatit, Vllaznia përgatitet për përballjen ndaj Vorës me synimin për të marrë maksimumin, në një moment vendimtar të sezonit. Trajneri Martini pritet të ndërhyjë në formacion, i kushtëzuar jo vetëm nga gjendja fizike e skuadrës, por edhe nga mungesat e disa futbollistëve të rëndësishëm.
Në portë nuk priten surpriza, teksa besimi do të jetë sërish te Pohls, i cili ka qenë një nga pikat më të qëndrueshme të kuqebluve gjatë këtij edicioni.
Reparti i mbrojtjes pritet të pësojë disa lëvizje. Rikthimi i Bajramit nga dëmtimi është një lajm i mirë për stafin teknik, me mbrojtësin që pritet ta nisë si titullar. Në krah të tij pritet të rreshtohen Pusi dhe Gjini, duke kompletuar një repart që kërkon më shumë stabilitet në këtë fazë të kampionatit.
Në mesfushë, ndryshimet diktohen edhe nga mungesat. Në krahun e djathtë pritet të aktivizohet Gurishta, duke zëvendësuar Malën dhe Kastratin që mungojnë, ndërsa në të majtë nuk parashikohen ndryshime, me Jagon që pritet të mbajë sërish vendin e tij.
Në qendër të mesfushës, Martini duket se do t’u besojë emrave si Krymi dhe Kallaku, ndërsa për një vend titullari mbetet një balotazh mes Qatos dhe Salës, me të parin që duket disi më i avantazhuar për ta nisur nga minuta e parë.
Në repartin ofensiv, përgjegjësia kryesore për golin do të mbetet mbi shpatullat e Balajt, i cili pritet të udhëheqë sulmin. Në mbështetje të tij do të jetë Dodaj, futbollisti i momentit te Vllaznia, që me formën e tij ka fituar besimin për një vend në formacionin titullar.
Një Vllazni me disa ndryshime, por me objektiva të qarta, që kërkon të mos bëjë hapa fals në këtë sfidë të rëndësishme ndaj Vorës.


