Java e 11-të e Superiores do e gjejë Vllazninë në transfertë kundër Kukësit. Takim që do luhet nesër në orën 13:00 në stadiumin e qytetit të Kukësit. Ndeshja nesër nuk është se i gjen të dy ekipet në humorin e duhur, kjo pasi verilindorët u mposhtën në javën e fundit nga Tirana në shifrat 4-1. E ndërsa Vllaznina u arrit në rezultatin 2-2 nga Erzeni, në një moment kur po kryesonte 2-0.

Statistikat tregojnë që në 4 transfertat e fundit kundër Kukësit, Vllaznia ka arritur vetëm një fitore. Kjo në datën 15.01.2021 ku shkodranët triumfuan me rezultatin 0-1, falë një goli të shënuar nga Arlind Kalaja. Në sfidat që kanë pasur kuqeblutë janë mposhtur me rezultatin 3-1 dhe 2-0 nga Kukësi jashtë Shkodrës, e po ashtu ka barazuar 0-0 në duelin e sezonit të shkuar.

Duhet theksuar se gjithë këto ndeshje janë luajtur në stadiumin e “Elbasan Arena”. Ku Kukësi ka luajtur ndeshjet si pritës në këto sezone. Tashmë ekipi i drejtuar nga Dobi pas thuajse më shumë se 3 vitesh është rikthyer në shtëpinë e tij. Kjo shton akoma edhe më tepër vështirësinë për shkodranët.

Për Vllazninë të gjithë presin një rezultat pozitiv ku Josa me futbollistët duhet të reagojnë pas rezultatit të fundit zhgënyes në Shkodër. Edhe tifozeria kuqeblu duket se do organizohet për transfertën kuksiane, kjo për ti afruar sa më shumë mbështetje skuadrës në objektivin për tu afruar me kreun e renditjes.
Endri ÇINARI