Apolonia U19 është eliminuar sot nga UEFA Youth League, Liga e Kampioneve për të rinj, teksa është mposhtur edhe në sfidën ë dytë nga Hajduk Split. Skuadra kroate kishte fituar 3-0 në Fier në duelin e parë mes dy ekipeve dhe sot ka konfirmuar superioritetin e saj duke triumfuar edhe në kthim, ndonëse fierakët u përpoqën që të bënin surprizën.

Në fakt, ishte ekipi i Apolonisë U19 që shënoi i pari, duke gjetur shpejt golin me anë të Maksutit, që në minutën e 9 të ndeshjes pas një aksioni të shpejtë në krah.

Por vendasit përfituan nga një përgjumje e mbrojtjes fierake dhe me Vrçiç barazuan shifrat kur regjistrohej minuta e 15 e duelit, duke mos u lënë kohë futbollistëve të skuadrës shqiptare që të gëzoheshin për këtë avantazh.

Dominimi i vendasve u rrit kur në minutën e 33-të ishte Begaj i cili u ndëshkua me karton të kuq për një faull si lojtar i fundit duke lënë në inferioritet numerik Apoloninë.

Gjithsesi, goli i radhës i Hajduk Split do të vinte vetëm në minutën e 73 të ndeshjes, kur Nezor me një goditje spektakolare mposhti portierin Bega.