Është larguar nga të kuqtë një vit e gjysmë më parë, por sërish një pjesë të vëmendjes e ka te Partizani. Lorenc Trashi, pjesë e Al Qadsia në Kuvajt, lojtar i Kombëtares dhe ish-kapiten i “demave”, ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Trashi nuk pret shumë nga merkatoja e janarit për Partizanin dhe shprehet se nëse të kuqtë e fitojnë Kupën, do të ishte një sezon i shpëtuar. Ai flet edhe për shortin e Kombëtares në Ligën e Kombeve.
Si po shkon aventura tek Al Qadsia? Jeni përshtatur me klimën, jetën dhe futbollin në Kuvajt?
Çdo gjë këtu po shkon mirë dhe jam shumë i lumtur. Rëndësi ka të ndihem unë mirë këtu ku jam, për të tjerat nuk interesohem shumë. Jam përshtatur shumë shpejt sepse njerëzit këtu janë shumë mikpritës dhe kjo ma ka bërë shumë më të lehtë.
Nëse nuk e keni parë ndeshjen, besoj keni ndjekur rastet dhe momentet e veçanta. Si e përjetuat derbin Partizani-Tirana?
Të them të drejtën nuk e kam parë derbin direkt, por kam ndjekur momentet e veçanta. Mendoj se Partizani bëri një ndeshje të mirë, pavarësisht rezultatit, por për fat të keq në ndeshjet derbi nuk i intereson njeriu loja, por duan vetëm ta fitojnë atë ndeshje me çdo episod që ndodh. Gjithmonë e përjetoj me shumë emocion atë ndeshje dhe më mungon shumë të them të drejtën.
Si ju duk Partizani?
Pësuan humbjen e dytë radhazi ndaj Tiranës. Kur humbet derbin dy herë radhazi është e rëndë për lojtarët dhe stafin në anën psikologjike, por edhe për tifozët, të cilët e duan më shumë se gjithçka fitoren në një përballje të tillë, por futbolli i tillë është. Tirana kishte 5 vite që nuk fitonte asnjë derbi dhe tani Partizanit i kthehet kundër gjithçka. Çdo gjë kalohet me qetësi. Kjo situatë do lojtarë të fortë mendërisht, që ta përballojnë humbjen. Të qëndrojnë së bashku si familje, jo sa për ta kaluar radhën me mendimin: Hajde shkojmë në stërvitje e kalojmë edhe sot. Duhet të jenë të bashkuar dhe vetëm me qetësi e përkushtim del nga momente të tilla.
Kjo humbje erdhi se Partizani nuk ishte në nivelin e duhur apo se Tirana ishte shumë e fortë?
Mendoj se barazimi ishte rezultat i duhur, të dyja ekipet kishin rastet e veta për të shënuar. Fati ishte me Tiranën këtë herë, por jo gjithmonë fati është me më të mirin (qesh). Edhe Partizani do të humbasë ndonjëherë. Gjithsesi, tani për tani Tirana ndodhet në një gjendje më të mirë. Ka bërë ndeshje pozitive dhe më e rëndësishmja, ka marrë pikët, që i japin qetësi në lojë.
Çfarë komenti keni për largimin e Ilir Dajës, si dikush që e keni parë nga larg situatën?
Unë për profesor Ilirin kam respekt për aq sa e njoh dhe për sa më kanë folur shokët, të cilët kanë punuar me të, por futbolli i tillë është. Kur ekipi nuk ecën, në çdo vend të botës përgjegjësitë i merr trajneri. Ky profesion varet direkt nga pikët e grumbulluara, por kjo nuk i heq asnjë meritë profesor Ilirit dhe me aftësitë që ka, është një nga trajnerët më të mirë që ka Shqipëria. I uroj shumë suksese kudo që të shkojë.
Me shumë mundësi Dritan Mehmeti merr drejtimin e Partizanit. Si ju duket kjo zgjedhje e drejtuesve?
Profesor Dritanin e dua shumë. Është një njeri shumë i pasionuar pas futbollit, punon shumë dhe ka njohuri të bollshme për profesionin e tij. Ai, siç do të bënte çdokush tjetër, e pret shansin të marrë një ekip me peshë si Partizani. Nëse konfirmohet gjithçka dhe bëhet zyrtare, do të më bëhej shumë qejfi. Shpresoj të bëhet më e mira për profesorin.
Duke parë merkaton verore të Partizanit, e prisnit këtë ecuri kaq negative?
Të them të drejtën nuk e prisja. Sigurisht, prisja të kishin më shumë pikë sepse ka bërë ndeshje të mira. Mendoj se nuk e meriton vendin që ka në renditje, ndoshta duhej të kishte diçka më shumë për ndeshjet që ka zhvilluar.
Merkatoja e janarit është para, mendoni se Partizani mund të bëjë diçka në këtë periudhë dhe të kthehet të luftojë për gjëra të mëdha?
Mendoj se merkatoja e janarit nuk të jep ndonjë mundësi të madhe për të marrë ndonjë lojtar me kualitet të madh. Gjithsesi, stafi e di mirë ku duhet të ndërhyjë dhe shpresoj të bëhet më e mira.
A mund të jetë Kupa shpëtim i sezonit të Partizanit?
Nëse do e fitonte Kupën, natyrisht do të quhej shpëtim i sezonit sepse një trofe i fituar është gjithmonë sukses.
Mund të bëni një listë prej tri ekipesh, që i shihni të aftë për titullin?
Mendoj se Tirana, Kukësi dhe Laçi kanë aftësinë për t’i shkuar deri në fund garës për titullin.
Cili është lojtari i Superiores, që ju ka surprizuar më shumë për mirë?
Më pëlqen shumë mbrojtësi i djathtë i Partizanit, Albion Marku. Është shumë i shpejtë dhe i fortë. Nëse do të përmirësohet më shumë në fazën mbrojtëse, atëherë do të bëhet akoma më i mirë.
Do të visheni sërish i kuq një ditë?
Zemra më thotë po dhe nuk e diskutoj. Shpresoj ta mbyll karrierën te Partizani. Familja ime është shumë e dhënë pas atij emri, pas stemës se madhe të Partizanit. Unë dhe familjarët e mi kemi marrëdhënie shumë të mirë me presidentin Demi dhe shpresoj me zemër të bashkohem në të ardhmen me Partizanin.
Si ju duk shorti i Ligës së Kombeve për Shqipërinë?
Është një short i vështirë, por besoj se do të bëjmë më të mirën sepse kombëtarja ka lojtarë me shumë kualitet për të përballuar sfida të një niveli të tillë./PANORAMA-SPORT/