Edon Hasani ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë në sfidën me Tiranën. Në një intervistë të shkurtër për “Panorama Sport”, Hasani pranon se Kastrioti i është larguar fundit të kampionatit, ndërsa shpreson që tani të kalojë me sukses edhe takimin me Egnatian që vulos qëndrimin në Superiore.

Tani me këtë fitore mund të themi që Kastrioti është më i qetë për mbijetesën në Superiore?

Të them të vërtetën, kemi vazhdimësi. E kemi treguar veten nga ndeshja në ndeshje, nga takimet brenda në takimet jashtë. Kjo tregon që gjithçka e kemi me meritë. Nuk kam çfarë të them gjë tjetër, veçse bravo djemve, stafit drejtues dhe trajnerit Çela. Me ardhjen e tij ka ndryshuar çdo gjë në ekip.

Edhe Edon Hasani është rikthyer goxha i fortë, pas një dëmtimi goxha serioz…
Duhet ta pranoj se kam kaluar një fazë shumë të rëndë fizike dhe psikologjike. E shoh veten që nuk jam në 100-përqindëshin tim. Po kaloj një periudhë shumë të mirë. Rezultatet të bëjnë të ndihesh mirë.

Një hakmarrje e vogël, nëse mund të themi kështu, kundër Tiranës?

Jo, nuk ka asnjë hakmarrje. Tirana është një ndër klubet më të mëdha që ka pasur kampionati shqiptar. I uroj për titullin kampion. E kanë merituar me plot kuptimin e fjalës.

Mund të themi që Kastrioti do të shpëtojë direkt?

Kjo është ajo për të cilën po luftojmë. Kemi edhe ndeshjen finale me Egnatian. Shpresojmë që ta përgatisim mirë ndeshjen gjatë javës, sepse Egnatia ka një skuadër të mirë. Duam të fitojmë apo rezultat pozitiv. Dhe nëse e marrim rezultatin pozitiv, atëherë mendoj se kemi shpëtuar.