Shqipëria bëhet gati për nisjen e edicionit të ri të kualifikueseve, megjithatë, jo pak probleme mund të ketë për trajnerin në lidhje me listën e përpiluar. FSHF e mban ende të fshehtë listën emërore, megjithatë disa prej emrave të saj, mund të mos lejohen që të jenë në dispozicion të trajnerit Edi Reja.
TRASHI PRET LEJEN
Kuvajti është një nga shtetet që përveçse ka mbyllur aeroportin, ka ndaluar të gjithë lojtarët e huaj që t’u përgjigjen ftesave të mara nga ekipet kombëtare. Një prej tyre është edhe rasti i Trashit. Gazeta ka mësuar se Lorenc Trashi është një prej emrave në listën e Kombëtares për 3 ndeshjet kualifikuese, megjithatë mbërritja e tij është ende e dyshimtë. Gazeta ka mësuar gjithashtu se skuadra Al Qadsia, në emër të të gjithë lojtarëve të huaj së bashku edhe me vetë lojtarët e huaj specifikisht, i janë drejtuar Federatës së Futbollit të Kuvajtit, por edhe ministrisë në Kuvajt pikërisht për këtë çështje.
Trashi dhe të gjithë lojtarët e huaj, bashkë edhe me klubin e tyre, u janë drejtuar këtyre dy institucioneve që të gjithë lojtarët që kanë marrë një ftesë të lejohen për t’u bashkuar me kombëtaret tyre dhe në kthim të mos kenë kushtin për karantinë të shtrënguar, por të aplikohet vetëm sistemi me tamponë. Pra një tampon negativ i lejon të hyjnë dhe brenda 48 orësh një i dytë negativ, i nxjerr në liri.
GRUMBULLIMI
Keidi Bare do të presë Kombëtaren në Spanjë. Qendra sportive e Espanjolit është zgjedhur nga kuqezinjtë për të zhvilluar disa ditë stërvitje para transfertës në Andorra. Kësisoj, mesfushori fierak është bërë “shkuesi” për të mirëpritur të gjithë kuqezinjtë në grumbullimin disa ditor nga e diela deri të martën në mbrëmje. FLUTURIMET Situata e pandemisë dhe pak ditë në dispozicion, kanë bërë që këtë herë, lojtarët e Kombëtares të mos kenë të gjithë si destinacion aeroportin e “Rinasit”, por të gjithë do t’i drejtohen Barcelonës. Nga shtetet ku ndodhen, kuqezinjtë do të fluturojnë drejt Katalunjës, ku do të grumbullohen përpara fluturimit të gjithë bashkë drejt Andorrës.