Monday, January 12, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORETre futbollistë të Vllaznisë në formacionin më të mirë të javës së...

Tre futbollistë të Vllaznisë në formacionin më të mirë të javës së shtatë

Sot, janë luajtur ndeshjet e javës së shtatë të Superiores. E fundit u luajt takimi mes Partizanit dhe Teutës, e mbyllur me shifrat 0-0. Pas përfundimit të kësaj jave, Newsport.al ka zgjedhur lojtarët që spikatën nga porta e deri në sulm.

Ne kete formacion, bejne pjese edhe tre futbolliste te Vllaznise te cilet kane spikatur ne fitoren e sotme ndaj Kastriotit dhe pikerisht Erdenis Gurishta, Aleksandar Isaevski dhe Demir Imeri.

Visar Bekaj – Nëse Tirana mori sot një fitore në Lac, padyshim meritë të madhe ka edhe portieri kosovar. “Gardiani” bardheblu u shndërrua në makth për sulmuesin e Laçit, Kyrian Nwabuezen. Amerikani nuk arriti të shënonte as përmes aksioneve, por edhe me penallti. Për gjatë gjithë lojës shtatlarti u vu në provë disa herë, mirëpo ishte i vendosur për t’i thënë “Jo” çdo kërcënimi kurbinas.

Erdenis Gurishta – Nuk ka vetëm shiritin e kapitenit, por dalëngadalë po bën edhe liderin te Vllaznia. Mbrojtësi i linjës te kuqeblutë sot ishte në ditën e tij më të mirë. Markon dhe sulmon si duhet në të njëjtën kohë. Organizon dhe motivon në mënyrën më të mirë skuadrën dhe në fund arrin të dalë me 3 pikë nga fusha e vështirë e Kamzës.

Altin Bytyçi – Vetëm 19 vjeç dhe tregon sikur ka një jetë që luan futboll. Shtatlarti i prapavijës së Kukësit i jep mesazh të qartë Skënder Gegës për të ardhmen. Pozicionet saktë dhe nuk lë hapësira për kundërshtarin. I vëmendshëm në aksionet e Bylisit duke zhvlerësuar çdo rrezik nga mallakastriotët.

Renato Arapi – Mbrojtje e garantuar me durrsakun në qendër të prapavijës. Sot, mbron mirë dhe arrin të neutralizojë çdo aksion të lojtarëve të trajnerit Ilir Daja. I jep ekipit të tij shpesh herë frymëmarrje dhe merr iniciativën për ta nxjerrë përpara. FItorja ishte shumë pranë, nëse Emiliano Vila do të kishte qenë i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit.

Aleksandar Isaevski – Luan qetë, markon dhe sulmon njëkohësisht në mënyrë të njëtrajtshme. Zbaton me përpikmëri çdo detyrë taktike të trajnerit Brdariç. Ndihmon maksimalisht skuadrën në arritjen e rezultatit pozitiv. Një afrim i goditur nga drejtuesit e Vllaznisë duke “blinduar” repartin e prapavijës.

Idriz Batha – Sot në fushë u duk “makineria” e sezonit të shkuar të Tiranës. Pjesëmarrës në çdo aksion, lidh bukur mbrojtjen me mesfushën dhe në fund vulos përmes një “perle” të tij me vlere 3 pikë. Gjirokastriti nuk ndalet së vrapuari për 90 minuta dhe në fund shpërblen ekipin e tij me një fitore të vështirë siç është transferta kurbinase.

Kristi Kote – Ndeshja e radhës që korçari bën një paraqitje të shkëlqyer. Nuk humb asnjë dyluftim në mesfushë dhe tregon rritje në lojën e tij. Ilir Daja duket se ka fituar një futbollist mjaft të rëndësishëm që premton shumë dhe për të ardhmen.

Dejvi Bregu – Vrapon përgjatë 90 minutave dhe është rrezik konstant për mbrojtjen e Partizanit. Arrin të fitojë një penallti, por për fatin e keq të skuadrës nuk shndërrohet në gol nga Vila. Krijon panik në zonën kundërshtare. Arrin të ndihmojë ekipin edhe në linjën difensive duke rikuperuar shumë topa në mesfushë.

Mario Gjata – Apolonia arriti të fitonte për herë të parë në këtë sezon futbollistik me Skënderbeun. Mjaftoi pikërisht goli i të riut Gjata për t’i dhënë 3 pikë mjaft të rëndësishme ekipit fierak. 20-vjeçari nuk fali para portës korçare duke shpërblyer më së miri besimin e trajnerit Nikolin Çoçli.

Demir Imeri – Shënon dhe vulos rezultatin në minutën e 43-të të takimit. Mjaft i rëndësishëm në fazën ofensive të shkodranëve duke qenë rrezik konstant për kundërshtarin. Pikë referimi për shokët e skuadrës duke shpërblyer si duhet besimin e tyre.

Agim Ibraimi – U afrua me bujë te Kukësi dhe menjëherë ka marrë rolin e liderit te verilindorët. Me shiritin e kapitenit në krah, sulmuesi i nënkampionëve arrin të realizojë një supergol. Duket se tanimë është dashuruar me “rrjetat” e Superiores, pasi ka shënuar golin e katërt në 7 javë të luajtura. Pa frikë, një nga lojtarët që do të konkurojë deri në fund për Këpucën e Artë.

TRAJNERI – NEVIL DEDE
Ndeshja e pestë në krye të pankinës së Tiranës. Duket dora e tij te bardheblutë, teksa sot arrin të fitojë një ndeshje mjaft të vështirë si transferta e Laçit. Ekipi vendoset mirë në fushë. Markon mirë dhe arrin të sulmojë duke shfaqur rrezikshmërinë e sulmuesve të saj. Fitorja e parë në krye të pankinës së Tiranës, pas një barazimi pa gola të arritur javën e shkuar në derbin ndaj Partizanit.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments