Numërimi duhet të nisë mbrapsht. Duke filluar nga sot. Tre javët e ardhshme do jenë shumë vendimtare për Vllazninë. Ajo ndodhet para shumë dilemave. Nga njëra anë janë premtimet e presidentit Çela për ndërtimin e një skuadre pretendente për titullin kampion dhe nga ana tjetër dyshimi se shumë plane mund të bien poshtë në fund të këtij muaji. Nën zë komentohen shumë gjëra këto ditë në Shkodër. Tifozët presin me ankth zhvillime të reja çdo ditë nga Vllaznia megjithatë tek ajo ka vetëm heshtje në shumicën e kohës. Fushata elektorale I ka bërë të gjithë për vete gjatë kësaj periudhe. Pikërisht prej saj, priten ndoshta edhe ndryshime në fund të këtij muaji. Stërvitja. I gjithë halli është tek nisja e saj. Më 1 qershor është planifikuar nisja e stërvitjes për ekipin e Vllaznisë dhe trajneri Bushati ka kërkuar që pikërisht këtë datë, ta ketë të plotë ekipin që do stërvisë për sezonin e ri. Një kërkesë mëse e drejtë sepse 6 javët që do ketë në dispozicion për fazën përgatitore, nuk janë të mjaftueshme për të pritur lojtarë apo për të testuar të tjerë. Vllaznia siç është bërë e ditur, ka si objektiv edhe kthimin e dy futbollistëve shkodranë, Gilman Likës dhe Erjon Vucajt. Gjasat janë të pakta që ata të vishen kuqeblu por nga ana tjetër, vetë këta dy futbollistë u kanë thënë drejtuesve shkodranë se do t’u kthejnë përgjigje në fund të korrikut pasi të kenë përfunduar aventurën europiane me Skënderbeun dhe Laçin, gjithnjë edhe nëse ikin në ndonjë skuadër jashtë vendit. Prandaj dhe ka shumë pasiguri për marrjen e këtyre dy futbollistëve, tek të cilët në fakt do mbështetjej skuadra. Përpos kësaj, zëra të ndryshëm bëjnë të ditur se edhe me tre futbollistët malazezë nuk janë firmosur kontrata por parakontrata, çka do të thotë se edhe ata nuk mund të zyrtarizohen ende si futbollistë të Vllaznisë. Nga ana tjetër, futbollistët e tjerë që janë pjesë e skuadrës shkodrane, ende nuk e kanë të qartë të ardhmen e tyre, teksa asnjë nga drejtuesit e klubit nuk I ka thirrur për të biseduar për kontratat e reja. Në kushte të tilla, nisja e stërvitjes më 1 korrik me skuadër të plotë, ka pak gjasa të ndodhë tek Vllaznia.
Pasiguria. Ngacmimi ka ardhur dy javë më parë nga një deklaratë e kryeministrit Berisha për një largim të mundshëm të presidentit Çela. Vetë ky I fundit ka deklaruar menjëherë se jo vetëm do jetë deputet në parlamentin e ardhshëm si kundërshtar I tij politik, por edhe do të vazhdojë të jetë president I Vllaznisë. Në fakt, Çela kontratën e drejtimit të klubit shkodran nuk e ka me kryeministrin por me Këshillin Bashkiak Shkodër, shumicën e të cilit e kontrollon sigurisht partia që drejtohet nga Berisha. Në kushte të tilla, nëse pas zgjedhjeve të 23 qershorit gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet, parashikohen ndryshime në krye të klubit. Presidenti mund të ikë vetë, por ekziston mundësia që edhe ta largojnë. Në mes është një kontratë e nënshkruar mes palëve që I komplikon disi gjërat. Fakti që drejtuesit e klubit (ata që përfaqësojnë Bashkinë) gjatë gjithë kësaj periudhe të fundit po heshtin, duke mos bërë asnjë dalje publike apo dhe reagim në lidhje me situatën në klub, tregon se diçka po përgatitet megjithatë duhet pritur deri në fund të muajit. Skuadra në fakt nuk prêt, ajo do një zgjidhje sa më të parë të kësaj situate, në mënyrë që gjërat të marrin njëherë e mirë drejtimin e duhur. Ndryshe, pasojat do të jenë jo të vogla dhe ajo që do t’I vuajë ato, do të jetë Vllaznia.
Gjergj KOLA