Federata Italiane e Futbollit ka dënuar me heqjen e 15 pikëve Juventusin për shkak të manipulimeve me bilancet financiare nëpërmjet procesit të plusvalencave. Klubi përdorte shkëmbime lojtarësh duke i vendosur vlerë kartonit të tyre dhe më pas nuk i mbante, për të vërtetuar se arkëtonte të ardhura, ndonëse nuk e bënte realisht një gjë të tillë.
Hetuesit kishin kontrolluar shumë transferime dhe ishin mbi 50 ato të cilat kishin rënë në sy për mënyrën se si kishin qarkulluar paratë nga klubi torinez drejt të tjerave të cilat kishin bërë marrëveshjet me të. Në listën e emrave të futbollistëve të përfshirë, janë edh tre shqiptarë.
I pari është sulmuesi i kombëtares, Xhakomo Vrioni, për të cilin iu paguan 4 milionë euro Sampdorias. Ndërsa kjo e fundit pagoi 1,7 milionë euro Frankoforte dhe 1,3 milionë euro Gerbin, si pjesë e marrëveshjes.
Emri tjetër është ai i ish-mbrojtësit të Kosovës U21, futbollistit aktual të Dukagjinit, Çendrim Kameraj. Ai u bë pjesë e bardhezinjve për t’u bërë më pas pjesë e një pakete transferimesh me Luganon me dy lojtarë për skuadër, ndërsa iu vendos vlera 700 mijë euro asokohe.
I treti është mbrojtësi Albian Hajdari, i cili ka qenë pjesë e një marrëveshje me Bazelin. Ndonëse ai ishte një emër i panjohur, Juventusi e bleu për 4,3 milionë euro si pjesë e një shkëmbimi me Sene që bëri rrugën e kundërt për 4 milionë euro.
Hajdari nuk luajti asnjë ndeshje zyrtare me Juventusin, Kameraj luajti vetëm një të tillë me Juventusin U23, ndërsa Vrioni është i vetmi i cili ka luajtur 2 ndeshje zyrtare me ekipin e parë dhe 9 me atë U23, duke shënuar edhe 2 gola me këtë të fundit./Panorama Sport