Laçi nuk arrin të fitojë sfidën ndaj Egnatias edhe pse dominoi në pjesën më të madhe të lojës. Ekipi i Josës barazoi 0-0 dhe nuk arrin të mbajë ritmin e Tiranës.

Laçi ishte më kërkuese që në minutat e para dhe kapi shtyllën që në minutën e 8. Ky do të ishte vetëm sinjali i parë i bardhezinjve, të cilët vazhdonin të sulmonin. Në minutën e 28 erdhi shtylla e dytë me Mentor Mazrekajn që tentoi golin që nga goditja këndore.

Në fundin e pjesës së parë pati dy pretendime për penallti nga ana e laçialëve, ku rasti më i diskutueshëm ishte ndërhyrja e Agbenpornus ndaj sulmuesit Akiniemit. Arbitri vendosi të vazhdonte lojën.

Në pjesën e dytë skenari ishte i njëjtë. Në minutën e 60 ishte rasti më i mirë i sfidës me Guindon që nuk shënoi me portën bosh. Dhjetë minuta më vonë Akiniemi goditi brenda zonës, por fati nuk ishte me lojtarin e Laçit, i cili kapi shtyllën e tretë të sfidës.

Me këtë barazim Laçi mbetet në vendin e dytë me 44 pikë, por që rrisin distancën me kryesuesit e Tiranës. Egnatia nga ana tjetër mbetet në vendin e shtatë me 23 pikë.

LAÇI-EGNATIA 0-0