Vllaznia nuk aktivizoi gjithë titullarët në ndeshjen kundër Pogradecit në kupë. Brdariç kishte menduar që tu linte hapësira edhe disa futbollistëve që ndoshta nuk kanë pasur minuta të shumta këtë sezon.

Madje tre nga titullarët kryesorë të skuadrës ishin lënë pushim për të mos u impenjuar fare në ndeshjen kundër liqenorëve.

Bëhet fjalë për mbrojtësit Fallou Diagne dhe Esin Hakaj si edhe mesfushorin Fjoart Jonuzi. Treshja titullare e formacionit kuqeblu ishte vendosur nga Brdariç dhe stafi i tij që të pushonin totalisht në një takim të tillë. Prandaj ata nuk ishin as pjesë e stolit të shkodranëve.

Të tre futbollistët gëzojnë një formë të mirë fizike dhe sportive, por minutat e shumta që kanë marrë këtë sezon kanë bërë që ata të lihen pushim nga stafi. Kjo edhe për të karikuar bateritë në maksimum para sprintit final të fundvitit ku kalendari do jetë goxha i ngjeshur.

Gjithashtu edhe portieri Zogovic dhe sulmuesi Da Silva nuk luajtën titullarë. Braziliani mori disa minuta gjatë takimit kundër Pogradecit ndërsa “gardiani” malazez e ndoqi gjithë ndeshjen nga stoli kuqeblu.

Këto lëvizje jo vetëm që i kanë dhënë frymëmarrjen e duhur disa prej titullarëve, por i kanë dhënë besim edhe disa futbollistëve të stolit që mund të jenë të gatshëm në javët që vijnë.

Endri ÇINARI