“Dita e mirë duket që në mëngjes”, kjo shprehje duhej t’i shkonte për shtat klubit të Vllaznisë për historinë që ka në futbollin shqiptar.

Por, në fakt situata aktuale është krejt e kundërta e kësaj. Veç administratorit Suad Lici, te kuqeblutë nuk ka asnjë zhvillim tjetër. I pari që u largua nga shkodranët ishte Erald Çinari.

Ky i fundit u shit për shifrën e 20-mijë eurove te Alaves. Megjithatë klubi spanjoll vendosi ta huazonte për ta rritur si lojtar dhe këtë sezon, 21-vjeçari do të kontribuojë për skuadrën e Istrës. Ekipi kroat luajti dje kundër Slovan Bolupos, por Erald Çinari ishte në tribunë.

Newsport.al ka mësuar nga burime të besueshme se klubi i Vllaznisë ka bllokuar leje-kalimin e sulmuesit.

Bëhet e ditur se tashmë kuqeblutë kanë rritur kërkesat e tyre, pasi vlera e kartonit të lojtarit është më shumë se 20 mijë euro.

E pabesueshme, por e vërtetë. Sulmuesi i Shpresave mund të mbetet i pashpresë për shkak të ekipit që luante më parë.

Pritet që kjo çështje të gjejë zgjidhje menjëherë, ndryshe talenti shkodran mund të “digjet” pikërisht nga skuadra ku u rrit dhe u formua si lojtar.

Tashmë kroatët presin leje-kalimin, në të kundërt Erald Çinari do t’i duhet të shohë fillimin e sezonit nga tribuna. /Newsport/