Trajneri i Kukësit, Diego Longo, u shpreh i kënaqur për triumfin 0-2 që skuadra arriti në trasnfertë ndaj Egnatias. Në prononcimin për “Gol pas Goli”, tekniku i verilindorëve, deklaroi se kjo fitore i dedikohet përgatitësit atletik Iris Selimi, që së fundmi humbi vëllanë e tij.

“Këtë fitore të rëndësishme, ia dedikojmë përgatitësit atletik Iris Selimi, që po kalon një moment të vështirë. Në ditët e fundit ka humbur vëllanë, ne i gjendemi afër, janë këto momente që na bëjnë të kuptojmë, sa e rëndësishme është jeta.

Jashtë këtij dedikimi, ishte fitore shumë e rëndësishëm. Duhet të reagonim pas humbjes ndaj Tiranës dhe këtë bëmë, treguam se dimë të reagojmë.

Është shumë e rëndësishme që në ndeshje të tilla të dish të menaxhosh. Ne këtë bëmë. E rëndësishme është që të merrnim këto 3 pikë dhe këtë bëmë. Nuk ishte e nevojshme të shtynim shumë, mendoj se e dominuam lojën.

Ne do të luftojmë në çdo ndeshje! Duhet të luftojmë me çdo kundërshtar, duhet të japim maksimumin tonë në çdo ndeshje dhe stërvitje, kjo është ajo që duhet të bëjmë në vazhdim”, u shpreh Longo.