Bylisi mund të konsiderohet skuadra më në formë e momentit duke qenë se kryeson kampionatin pas fitores 5-0 përballë Flamurtarit. Në një prononcim për “RTSH Sport”, kanë folur edhe dy nga heronjtë e skuadrës ballshiote.

Eridon Qerdaku është një nga talentet e skuadrës ballshiote. Mesfushori shkodran u shpreh se skuadra ka potencial që këtë sezon të arrijë në majë duke synuar jo vetëm për Kupat e Europës por edhe më lart se kaq. Ai shtoi se synon që të shënojë edhe më shumë gola me skuadrën e Bylisit.

“Kur erdha, erdha me objektiva të qarta për të luajtur. Është merita e stafit që më ka besuar sepse nuk është e lehtë t’i besohet një 19-vjeçari. E pashë projektin dhe ishte shumë i mirë për që do të më ndihmonte.

Ne kemi punuar fort që në fillim sepse duket qartë që kemi nisur stërvitje shumë herët. I marrim kundërshtarët një nga një dhe nuk kemi ekip të lehtë apo të vështirë. Kundërshtar kemi veten. Shpresoj të marrim rezultat pozitiv sepse po punojmë. Duam të jemi në Europë dhe pse jo më lart.

Goli? E kam pritur mirë sepse punonte edhe shansi. U çlirova dhe shpresoj të shënoj sa më shumë për Bylisin”, u shpreh Qardaku.