Shitja e klubit të Milanit nga fondi “Elliot” te ai “RedBird”, ka përfunduar në lupën e Guardia Di Finanza në Itali, me një hetim që është hapur dhe ka nisur me kontrolle për verifikim dokumentacioni.
Sipas mediave italiane, policia po kërkon dokumentacionin e plotë të transferimit të aksioneve nga një kompani në tjetrën, pas ankimimit zyrtar të kompanisë luksemburgeze “Blue Sky” e cila është aksionere minorance në kuotat e klubit. Në dosje, mësohet se ka një akuzë të ngritur ndaj personave të tretë, pa përmendur emra.
Që në shtator kompania në fjalë kishte bërë kërkesë në gjykatën e Milanos që të kontrollohej manovra e transferimit të klubit te “RedBird” dhe të bllokohej shitja, por më pas kishin hequr dorë meqë akordi ishte firmosur që në gusht, ndonëse e kishin cilësuar si “të dyshimtë”.
“Blue Sky” pretendon se si aksioner duhej të kishte informacion të plotë mbi shitjen, por nuk i është dhënë asnjë gjë nga drejtuesi ekzistues në atë periudhë te Milani. Ndaj po hetohet nëse shitja e klubit është bërë në kundërshtim me rregulloret përkatëse.