Tronditet futbolli kosovar! Ndeshja e Ligës së Parë të Kosovës mes Ulpianës dhe Vllaznisë u konfirmua nga Federata si e trukuar, teksa së fundmi, nëpërmjet një vendimi zyrtar, si Ulipiana ashtu dhe Vllaznia e Pozheranit u përjashtuan nga Liga e Parë ku bënin pjesë.

Kështu konfirmoi edhe Federata e Futbollit të Kosovës, pavarësisht se klubet kishin mohuar një gjë të tillë. FFK njoftoi se ndeshja do të regjistrohet si e luajtur, por që pikët dhe golat nuk do të regjistrohen nga ky takim. Komisioni Disiplinor sot mori një vendim tjetër të ashpër kundrejt këtyre dy skuadrave, duke i përjashtuar nga gara.

“Klubet futbollistike “Ulpiana” dhe “Vllaznia Pozheran” largohen nga garat e rangut përkatës të Ligës së Parë të Futbollit (Grupi B) të edicionit 2023/24, ashtu që të njëjtit kthehen në rang më të ulët të garave dhe me këtë humbin statusin e anëtarëve të Ligës së Parë për edicionin 2023/24, kurse garat e rregullta nga kampionati vijues 2024/25 i zhvillojnë në Ligën e Dytë të Futbollit”, thuhet në vendimin e Komisionit të Shkallës së Dytë të FFK-së.

Menjëherë pas vendimit të Komisionit të Garave, të dyja klubet kishin mohuar përfshirjen në kurdisje. Policia ka nisur hetimet. /Telegrafi/