Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka folur me respekt dhe vlerësim për Armando Brojën, vetëm një ditë para përballjes së rëndësishme mes Shqipërisë dhe Anglisë në “Air Albania”. Duke njohur mirë cilësitë e sulmuesit kuqezi nga koha kur e drejtoi te Chelsea, Tuchel ka theksuar se Broja mbetet një rrezik i vazhdueshëm për çdo mbrojtje.

“Sigurisht që e njoh Armandon shumë mirë, sepse ai ishte lojtari im te Chelsea. Ai ka luajtur rregullisht me Kombëtaren dhe shpesh si anësor i djathtë. Mendoj se kështu do të luajë edhe ndaj nesh. Ka shpejtësi, fizicitet dhe është gjithmonë i rrezikshëm”, deklaroi Tuchel.

Megjithatë, trajneri gjerman ka shtuar se Anglia është e përgatitur ta menaxhojë rrezikun që vjen nga Broja, duke theksuar se skuadra e tij ruan një fokus të plotë te objektivi kryesor: vazhdimi i ecurisë perfekte në kualifikueset e Botërorit.

“Ne mendojmë se do të kemi zgjidhjen për ta kontrolluar. Uria jonë për të triumfuar, për të arritur diçka të madhe, është më e madhe se ky rrezik, pra prishja e rekordit të zero golave të pësuar. Nuk mund të fokusohemi te ajo që mund të humbasim, por te mundësia për të zhvilluar një tjetër ndeshje të bukur.”