Për trajnerin aktual të kombëtares U19 të Shqipërisë dita e sotme është e veçantë sepse përkon me ditëlindjen e tij. Armando Cungu mbush 49 vjeç dhe me kë rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Ai ka lindur ne Shkoder me 23 prill 1973 dhe ne keto 49 vite jetë, shumicën e të cilave ai i ka të lidhur ngushtësisht me futbollin. Karriera e tij si lojtar ka nisur te Vllaznia ku ka periudhën më të madhe të aktivizimit, teksa është shpallur edhe kampion me të në vitin 1998.

Më pas kalon në Greqi tek Ethnikos, për t’iu bashkuar më pas edhe Luftëtarit të Gjirokastrës dhe Teutës së Durrësit e për t’u rikthyer sërish tek Vllaznia në vitin 2002. Luan dy vite e pak me të, para se të largohet drejt Flamurtarit të Prishtinës me të cilën do të mbyllte karrierën e tijnë vitin 2005.

Për Cungun nuk do të kishte shumë kohë pushim sepse do të niste menjëherë detyrën e trajnerit. Starton nga Ada të cilën e drejton për pak muaj, e për të punuar tek Vllaznia si zëvendëstrajner për disa kohë, e po ashtu edhe drejtor i Akademisë.

Në vitin 2012 merr drejtimin e Kukësit të sapongjitur në Superligë dhe jo vetëm e shpall nënkampion por shkon me të deri në turin e tretë në Kupat e Europës. Më pas do të drejtonte edhe Laçin me të cilin do të fitonte Kupën e Shqipërisë, Vllazninë, për t’u rikthyer sërish tek Kukësi e Laçi.

Ndërkohë prej nje viti e gjysem ai ka marrë detyrën e trajnerit të kombëtares U19 të Shqipërisë, detyrë që po mundohet ta bëjë me shumë devotshmëri, ashtu siç i ka bërë të gjitha detyrat e mëparshme. Ky është profili i Armando Cungut, njeriut që sot ka ditëlindjen.
Gjergj KOLA