Tim Vairinen nuk ish te fare dje në stërvitjen e Tiranës. Një ditë më parë lojtari zhvilloi pjesën e parë të stërvitjes, ndërsa në pjesën e dytë bëri vetëm vrapime. Gjithsesi, lojtari dje nuk ishte fare në stërvitje. Zyrtarisht ka disa shqetësime shëndetësore, ndërsa jo zyrtarisht situata mund të jetë edhe më ndryshe.

Lojtari, edhe pse është marrë me bujë në verë, nuk ka bindur qoftë një sekondë dhe është jashtë planeve të Tiranës. Me shumë mundësi, gjatoshi do të largohet në fund të sezonit nga bardheblutë. Në 11 takime, dhe vetëm dy si titullar, Vairinen është aktivizuar 263 minuta, duke mos shënuar ende asnjë gol.

Një zhgënjim më vete për skuadrën bardheblu. 28- vjeçari ka një karrierë të pasur si futbollist, teksa ka luajtur edhe me të rinjtë e Borusias së Dortmundit në Gjermani duke fituar dhe divizionin e tretë gjerman. Karriera e tij është ndërtuar mes Finlandës, Gjermanisë dhe Holandës. Në Gjermani, Vairinen ka veshur dhe fanellat e Viktoria Këlnit, Dinamo Dresdenit dhe Hansa Rostokut, kurse në Holandë ka qenë pjesë e Rodes.

Suksesin më të madh në karrierë, Tim Vairinen e ka arritur me Helsinkin duke fituar titullin kampion vitin e kaluar. Ai ka qenë shok skuadre me Ferhan Hasanin, një objektiv i shumëdëshiruar i Tiranës. Sulmuesi finlandez është pjesë e ekipit kombëtar të Finlandës që prej vitit 2013 duke luajtur 13 takime. Për sa i përket shifrave, Vairinen ka shënuar në karrierë 83 gola në 256 ndeshje.