Një foto nga spitali me këmbën në allçi pas operacionit. Në këtë mënyrë, Manuel Neuer iu tregoi të gjithë tifozëve dhe simpatizantëve të Gjermanisë e Bayern Munich gjendjen e tij pas një rënieje, teksa po bënte ski në pushime. Një incident që do ta detyrojë atë ta përfundojë herët të gjithë sezonin futbollistik. Diçka që legjenda gjermane Lothar Matthaus thjesht nuk mund t’ia falë.
Duke folur për incidentin, siç nënvizohet nga “Sport 1” dhe GOAL, Matthaus kritikoi mungesën e kujdesit të portierit: “Unë e kuptoj që një lojtar dëshiron të argëtohet, të pushojë dhe të qetësojë kokën. Edhe mua më pëlqen të bëj ski në borë të freskët, por duhet marrë parasysh rreziku i lëndimit që rritet në varësi të vendit ku zgjidhni të skijoni.
Diçka e tillë nuk duhej të kishte ndodhur. Rreziku që ai mori përsipër tregon sa i pakujdesshëm është si profesionist. Ajo që bëri Neuer është si ta ngasësh makinën me goma verore në dëborë. Kështu e shoh unë”.
Neuer, siç u përmend, theu këmbën dhe për këtë arsye e mbylli herët sezonin aktual. Bayern Munich nuk do të mund të bazohet tek ai për gjysmën e dytë të sezonit./telesport/